< 1Mak 14 1Mak 16 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 15)
15

1 Mbreti Antiok, biri i Demetrit, i dërgoi nga Ishujt e detit, Simonit kryeprift e prijësit të popullit judeas dhe mbarë popullit një letër

2 me këtë përmbajtje: “Mbreti Antiok Simonit kryeprift e prijësit të popullit judeas, si dhe popullit të Judesë, shëndet!

3 Pasi disa të poshtër e pushtuan mbretërinë e etërve tanë, kam vendosur ta kthej mbretërinë e ta kthej ashtu si ka qenë më parë. Kam mbledhur një ushtri të fortë dhe kam ndërtuar anije luftarake.

4 Kam vendosur të zbarkoj në krahinë për t’i ndëshkuar ata që e shkretuan vendin tonë e rrafshuan qytete të shumta në mbretërinë time.

5 Tash, pra, po i përforcoj të gjitha shkarkesat e tatimeve, prej të cilave të kanë pasë liruar mbretërit para meje si dhe të gjitha dhëniet e tjera prej të cilave të kanë pasë liruar.

6 Po të jap leje të farkosh monedhën tënde për vendin tënd.

7 Jerusalemi dhe Vendet e shenjta le të jenë të lira. Të gjitha armët që i ke punuar, të gjitha kështjellat që i ke ndërtuar e i ke në sundim, janë të tuat.

8 Le të të falet gjithçka i detyrohet vishtarit mbretëror si edhe çka do t’i kesh detyrë mbretit në të ardhmen, të falen qysh tash e më tutje përgjithmonë.

9 E kur do ta rifitojmë përsëri mbretërinë tonë, do të mbulojmë ty e popullin tënd e tempullin me nderime të mëdha sa që do ta bëjnë të shkëlqejë nderi juaj mbi mbarë botën.”

10 Në vitin njëqind e shtatëdhjetë e katër Antioku u nis drejt tokës së etërve të vet. Rreth tij u bashkuan të gjitha njësitet e ushtrisë, sa që vetëm një pakicë mbeti me Trifonin.

11 Mbreti Antiok e ndoqi e ky iku e erdhi në Dorë që është në breg të detit.

12 E pa se e kishin rrethuar të gjitha të zezat dhe se e kishte lënë ushtria.

13 Antioku u fushua përbri Dorës me njëqind e njëzet mijë këmbësorë e me tetë mijë kalorës.

14 E rrethoi qytetin e iu afruan nga deti edhe anijet; kështu e sulmonte qytetin nga toka e nga deti e askënd nuk linte as të hyjë as të dalë.

15 Ndërkaq, nga qyteti i Romës u kthye Numeni me ata që kishin qenë me të. Sollën me vete letrat e shkruara për mbretër e vende të ndryshme. Në to thuhej:

16 “Luci, konsulli i romakëve, mbretit Ptoleme, shëndet!

17 Ndër ne erdhën të dërguarit e judenjve si miq e besëlidhës tanë për ta përtëritur miqësine e besëlidhjen e mëparshme, të dërguar nga kryeprifti Simon e nga populli i Judesë.

18 Na sollën një shqyt të artë të rëndë një mijë mna.

19 Vendosëm t’u shkruajmë mbretërve të vendeve të ndryshme të mos u bëjnë ndonjë të keqe as të mos bëjnë luftë kundër qyteteve të tyre e vendit të tyre dhe të mos u ndihmojnë atyre që do të bënin luftë kundër tyre.

20 Na u duk punë e mirë ta pranojmë prej tyre shqytin e artë.

21 Nëse, pra, njerëz të mbrapshtë nga dheu i tyre janë strehuar te ju, dorëzojani kryepriftit Simon t’i ndëshkojë sipas Ligjit të vet.”

22 Kështu i shkroi mbretit Demetër, Atalit, Ariaratit, Arsakut

23 dhe të gjitha vendeve: Sampsakës, spartanëve, në Del, në Mind, në Sicionë, në Karidë, në Sam, në Pamfili, në Lici, në Alikarnas, në Rod, në Faselidë, në Koo, në Siden, në Aradon, në Gortinë, në Gnid, në Qipro e në Cirenë.

24 Dysheritjen e këtyre letrave ia dërguan kryepriftit Simon dhe popullit çifut.

25 Antioku, ndërkaq, tash dy ditë, kishte ngulur fushimin përballë Dorës, dhe e sulmonte e vazhdimisht punonte vegla luftarake. Kështu Trifonit ia kishte mbyllur çdo shteg: s’mund të hynte kush as s’mund të dilte.

26 Edhe Simoni i dërgoi dy mijë ushtarë të zgjedhur në ndihmë si edhe argjend e ar e pajisje lufte të shumta.

27 Por, ai s’deshi t’i pranojë, i këputi të gjitha marrëveshjet që kishte bërë me të më parë, madje u armiqësua me të.

28 Ia dërgoi Atenobin, një nga miqtë e vet, për të biseduar me të e për t’i thënë: “Ju po e mbani në pushtet tuaj Jopen, Gazarën e Qytezën që është në Jerusalem: qytetet e mbretërisë sime.

29 Vendet e tyre i keni shkretuar, bëtë shumë rrënime të mëdha në vend dhe po zotëroni mbi vende të shumta të mbretërisë sime.

30 Tash, pra, dorëzoni qytetet që i keni pushtuar bashkë me tatimet e atyre krahinave që i keni pushtuar jashtë kufijve të Judesë.

31 Ndryshe, jepni në vend të tyre pesëqind talenta të argjendtë, kurse për dëme që keni bërë, si edhe për tatime të qyteteve, edhe pesëqind talenta të tjerë. Nëse nuk do të bëni kështu, do të vijmë e do t’ju luftojmë.”

32 Atenobi, miku i mbretit, erdhi në Jerusalem, e pa shkëlqimin e Simonit, shkëlqimin e tij në ar e në argjend, pajisjen e begatshme, dhe mbeti i habitur e i kumtoi fjalët e mbretit.

33 Simoni i përgjigji e i tha: “Ne nuk kemi pushtuar tokë të huaj as s’kemi marrë gjë të huajën, por vetëm pronën e etërve tanë, të cilat kanë pasë qenë pushtuar padrejtësisht, për do kohë, nga armiqtë tanë.

34 Ne vetëm, duke shfrytëzuar rrethanat e volitshme, e kemi kthyer pronën e etërve tanë.

35 Sa për Jopen e Gazarën, që ti po i kërkon, ato bënin kërdi të madhe në popullin tonë e në vendin tonë: për këto japim njëqind talenta.” Atenobi nuk i përgjigji asnjë fjalë,

36 por u kthye të mbreti idhshëm, ia tregoi këto fjalë, madhërinë e Simonit si dhe gjithçka pa. Mbreti u zemërua me zemërim të madh.

37 Ndërkaq, Trifoni, si hipi në një anije, iku në Ortosi.

38 Mbreti e vuri Cendebeun qeveritar të Krahinës bregdetare dhe i dha një ushtri këmbësorësh dhe kalorësish.

39 I urdhëroi të ngulë fushimin përballë Judesë, i dha urdhër ta ndërtojë Cedronin, t’ia sigurojë dyert e të nisë luftë kundër popullit. Ndërkaq mbreti vazhdonte ta ndiqte Trifonin.

40 Ndërkaq, Cendebeu arriti në Jamni. Nisi ta ngucasë popullin, të shkelë kufijtë e Judesë, të zërë robër nga populli e të vrasë.

41 E rindërtoi Cedronin, vendoi në të kalorës e këmbësorë që të dalin nga andej e të qarkullojnë udhët e Judesë, sikurse i kishte urdhëruar mbreti.



Fjala e Zotit