1 Në vitin njëqind e shtatëdhejtë e dy mbreti Demetër bashkoi ushtrinë e vet e shkoi në Medi për të grumbulluar ndihma që të luftojë Trifonin.
2 Arsaku, mbreti i Persisë e i Medisë, mori vesh se Demetri kishte hyrë në territor të tij, e dërgoi njërin nga prijësit e ushtrisë së vet për ta zënë gjallë.
3 Ky shkoi dhe e shpartalloi ushtrinë e Demetrit e Demetrin e kapi gjallë dhe e çoi tek Arsaku, i cili e ndryu në burg.
4 Vendi gëzoi qetësi gjatë gjithë jetës së Simonit. Ky kërkoi të mirën e popullit të vet, pushteti i tij u pëlqeu të vetëve, edhe lavdia e tij gjatë gjithë jetës së tij!
5 Përveç veprave të tija të lavdishme e pushtoi Jopen e port e bëri, hapi derën për ishujt e detit.
6 I shtriu kufijtë e popullit të vet dhe e rifitoi vendin e vet.
7 Grumbulloi me shumicë robër, pushtoi Gazarën, Betsurën e Qytezën, i dëliri ndotësitë prej vendit: e askush s’mundi ballë t’i bëjë.
8 Gjithkush tokën në qetësi e punonte, toka i jepte prodhimet e veta, pemët e fushës frutat e veta.
9 Pleqtë rrinin ngeshëm në sheshe, bisedonin të gjithë për mirëqenie, të rinjtë u veshnin me petka të ndritshme të mbërthyer ecnin me armë luftërash.
10 Qyteteve u grumbullonte ushqime, i frotifikoi me mjete mbrojtjeje, sa që emri i lavdisë së tij arriti der në skaje të botës.
11 Bëri në vend paqja të mbretërojë: Izraeli u gëzua me hare të madhe.
12 Rrinin njerëzit nën hardhi të vet e nën hijen e fikut të vet e askush nuk i trazonte.
13 U çlirua vendi nga kundërshtarët, në ato ditë mbretërit sharruan.
14 Ngushëlloi të përvujtit e popullit të vet, zbatoi Ligjin, zhduki të keqin e të patenzonin.
15 Me shkëlqim e stolisi Tempullin, e pasuroi me enë të shumta.
16 U hap lajmi në Romë e deri në Spartë se kishte vdekur Jonatani. U pikëlluan shumë.
17 Kur mandej e morën vesh se Simoni, vëllai tij, ishte bërë në vend të tij kryeprift e se e sundonte vendin dhe qytetet e tija,
18 i shkruan në pllaka bronzi që ta ripërtërijë me ta miqësinë e besëlidhjen, që më parë i kishin lidhur me vëllezërit e tij Judën e Jonatanin.
19 Leximi i tyre u bë para kuvendit të dheut në Jerusalem. Ja dysheritja e letrës që e dërguan spartanët:
20 “Paria e spartanëve si edhe Qyteti, Simonit, kryepriftit, parisë e priftërisë si dhe mbarë popullit tjetër të judenjve, vëllezërve, shëndet.
21 Kasnecët që i keni dërguar te populli ynë, na lajmëruan për lumturinë tuaj e nderin dhe ardhja e tyre na kënaqi shumë.
22 Fjalët e tyre që i thanë në këshillin e popullit i kemi shkruar kështu: ‘Numeni i Antiokut e Antipatri, biri i Jasonit, të dërguarit e judenjve, erdhën te ne për të ripërtëritur me ne miqësinë.’
23 Popullit i pëlqeu t’i pranojë këta njerëz me nderime e ta shënojë dysheritjen e bisedave të tyre në librat e veçantë të popullit që të jenë në kujtim për popullin spartan. Një dysheritje e shkruam për kryepriftin Simon.”
24 Pas kësaj Simoni dërgoi Numenin në Romë me një shqyt të artë të madh të rëndë një mijë mna, për të
bërë me ta besëlidhje.
25 Kur populli u vu në dijeni lidhur me këto ngjarje, tha: “Si t’i falënderohemi Simonit e bijve të tij?
26 Sepse u dëftua i patrandshëm ai e vëllezërit e tij e shtëpia e babës së tij, sepse, duke i luftuar, i dëboi armiqtë e Izraelit larg tij e ia solli lirinë.” Kështu shkruan një tekst në pllaka të bronzta e i vunë në shtylla në Malin Sion.
27 Ja teksti i mbishkrimit: “Më tetëmbëdhjetë të muajit Elul të vitit njëqind e shtatëdhejtë e dy, që është viti i tretë i Simonit, priftit të madh, në Asaramel,
28 në kuvendin e dheut të prifërinjve, popullit, prijësve të popullit dhe të parisë së vendit, na qe shpallur sa vijon:
29 Pasi shumë herë u bënë luftëra në krahinë, Simoni, biri i Matatisë, pasardhës i bijve të Joaribit, edhe vëllezërit e tij, e vunë veten në rrezik, u bënë ballë armiqve të kombit që të ruanin Shenjtëroren e vet dhe Ligjin dhe i sollën popullit të vet lavdi të madhe.
30 Jonatani e bashkoi popullin e vet, u bë kryeprift e pastaj pushoi në gjirin e popullit të vet.
31 Armiqtë e tyre deshën ta pushtojnë vendin e ta shtrijnë dorën e vet kundër Shenjtërores së tyre.
32 Atëherë Simoni u ngrit kundër tyre, luftoi për popullin e vet. Shpenzoi shumë të holla, i armatosi trimat e fortë të kombit të vet dhe u dha rrogat.
33 I fortifikoi qytetet e Judesë si edhe Betsurën që ishte në kufijtë e Judesë, ku më parë ishin armët e armikut dhe aty e vendosi njësitin rojës të përbërë prej judenjve.
34 E fortifikoi edhe Jopën që ishte në bregun e detit, Gazarën që është në kufijtë e Azotit, ku më parë banonin armiqtë, Aty vendoi judenjtë dhe u la gjithçka u lypej për jetesë e mbrojtje.
35 Populli e pa besnikërinë e Simonit dhe lavdinë, të cilën mendonte ta sillte mbi popullin e vet. Populli e vuri prijës të vet edhe e bëri kryeprift, sepse ai i kishte bërë të gjitha këto e për shkak të drejtësisë e të besnikërisë që e ushqeu ndaj kombit të vet e pse bëri çmosin për ta lartësuar popullin e vet.
36 Në ditët e tija me zotësinë e tij ia doli t’i çrrënjosë nga vendi i tyre paganët, si edhe ata që ishin në Qytetin e Davidit, në Jerusalem, të cilët e kishin punuar për vete fortesë, nga e cila dilnin e përdhosnin gjithçka që ishte rreth Shenjtërores duke bërë ndotje të madhe pastërtisë së saj.
37 Në të i vendosi judenjtë, e fortifikoi për mbrojtjen e krahinës e të qytetit edhe i lartësoi muret e Jerusalemit.
38 Për këtë arsye edhe mbreti Demetër ia dha kryepriftërinë,
39 e bëri mikun e vet dhe e nderoi me nder të madh.
40 Mbreti kishte marrë vesh se romakët i quanin hebrenjtë miq, vëllezër e besëlidhës dhe se i kishin pritur kasnecët e Simonit me nderime të mëdha;
41 si edhe hebrenjtë e priftërinjtë kishin pranuar me ëndje t’u jetë ai udhëheqës e kryeprift përgjithmonë deri të dalë ndonjë profet besnik,
42 po ashtu të jetë edhe prijësi i tyre, ta ketë në kujdes Tempullin, për sundimin e vendit, për armë e për qyteza. Le të kujdeset për Shenjtërore.
43 Ta dëgjojnë të gjithë. Në emër të tij të shkruhen të gjitha aktet zyrtare. Të vishet me purpur e të mbartë stoli ari.
44 Të mos guxojë të vërë në dyshim as të mos dëgjojë askush as prej popullit as prej priftërinjve ndonjë send prej këtyre ose të kundërshtojë ndonjë gjëje që prej tij thuhet. Pa leje të tij askush të mos guxojë të thërrasë mbledhje në krahinë as të mbartë purpur as të mbërthejë kopçe të artë:
45 Kush të bëjë ndonjë send jashtë këtyre rregulloreve ose ta prishë ndonjë prej këtyre, do të jetë fajtor.
46 Mbarë popullit i pëlqeu t’i jepet Simonit e drejta të veprojë sipas këtyre vendimeve.
47 Edhe Simoni prej anës së vet pranoi të jetë kryeprift, udhëheqës dhe prijës i popullit të Judesë e i priftërinjve, të jetë në krye të të gjithëve.”
48 Këtë shkresë vendosën ta gdhendin në pllaka të bronzta e të vendohet në tremen e Shenjtërores në një vend të përshtatshëm,
49 kurse dysheritjet e tyre të vendohen në vishtar që t’i kenë në përdorim Simoni me të bijtë.