< 1Mak 12 1Mak 14 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 13)
13

1 Simoni e mori vesh se Trifoni kishte mbledhur një ushtri të madhe për të shkuar në dheun e Judës e për ta pushtuar.

2 Duke parë se popullin e kishte pushtuar frikë e madhe, u ngjit në Jerusalem, e bashkoi popullin

3 dhe i dha zemër. U tha: “Ju e dini mirë se sa kemi bërë unë, vëllezërit e mi dhe mbarë shtëpia e tim et për Ligjin e për vendet e shenjta si dhe luftërat e vështirësitë që i kemi sprovuar.

4 Për këtë arsye kanë vdekur vëllezërit e mi, të gjithë u vranë për Izraelin e kam mbetur vetëm unë.

5 E tash Zoti mos e thëntë ta kursej jetën time në ditët e vështirësisë: unë nuk jam më i mirë se vëllezërit e mi.

6 Madje do të bëj çmos që ta ahmarr popullin tim, Vendin e shenjtë, gratë e fëmijët tuaj, sepse janë bashkuar mbarë paganët të na e tresin farën, sepse na urrejnë.”

7 Me të dëgjuar këto fjalë, popullit iu ndez flakë shpirti

8 dhe përgjigji me zë të madh e tha: “Ti je prijësi ynë në vend të Judës e të Jonatanit, vëllait tënd.

9 Luftoje luftën tonë e ne do të bëjmë gjithçka të na thuash!”

10 Atëherë i mblodhi të gjithë njerëzit e aftë për luftë, shpejtoi rindërtimin e mureve të Jerusalemit dhe e forcoi gjithkund përreth.

11 Atëherë e dërgoi Jonatanin, birin e Absalomit, me një ushtri të madhe në Jopë. Ky i dëboi ata që ishin në të, e në të nguli vetë.

12 Trifoni u nis nga Ptolemaida me një ushtri të madhe për të ardhur në dheun e Judës. Me të ishte edhe Jonatani rob lufte.

13 E Simoni erdhi atëherë edhe u fushua te Adida kundruall rrafshinës.

14 Trifoni kur e mori vesh se Simoni ishte ngritur prijës në vend të të vëllait Jonatan dhe se donte të luftonte kundër tij, dërgoi tek ai lajmëtarë

15 me këto fjalë: “Për arsye të argjendit që yt vëlla Jonatani ia ka borxh vishtarit të mbretit për shërbesat që ka mbarështuar e mbajmë peng.

16 Dërgoj tash njëqind talenta argjendi edhe dy djemtë e tij peng, që kur ta kemi çliruar, të mos ikë prej nesh. Atëherë do ta lëshojmë të lirë.”

17 Megjithëse Simonit ia merrte mendja se po flisnin me dredhi, megjithatë dërgoi të merren njëqind talenta të argjendtë e dy djemtë që të mos sjellë mbi vete armiqësi të madhe nga ana e popullit,

18 që do të mund të thoshin: “U vra pse nuk i dërgoi argjendin e djemtë!”

19 Ia dërgoi, pra argjendin edhe djemtë. Ai rrejti e nuk e lëshoi Jonatanin.

20 Pas këtyre, Trifoni çoi me ushtri për ta pushtuar vendin e për ta shkretuar. U drejtua rrugës që shpie në Adorë. Simoni me ushtrinë e vet e ndiqte gjithkund ai shkonte.

21 Ata që ishin në Qytezën i dërguan lajmëtarë Trifonit të shkonte tek ata nëpër shkretëtirë sa më parë për t’u sjellë ushqime.

22 Trifoni e bëri gati mbarë kalorësinë e vet për të shkuar atje, por atë natë ra borë e madhe shumë e nuk shkoi për shkak të borës, por u largua e shkoi në Galaad.

23 Kur iu afrua Baskamës, e vrau Jonatanin dhe aty e varrosi.

24 Atëherë u kthye e u nis për vendin e vet.

25 Simoni dërgoi të merren eshtrat e Jonatanit, vëllait të vet dhe e varrosi në Modin, në qytetin e etërve të vet.

26 Mbarë Izraeli e vajtoi me vaj të madh dhe i bënë gjëmë shumë ditë.

27 Simoni e mbilartësoi varrin e t’et e të vëllezërve dhe e punoi bukur të lartë për t’u parë me gurë të lëmuar përpara e pas.

28 Mandej vendoi shtatë piramida, njërën përballë tjetrës: për të atin, t’ëmën e katër për vëllezërit.

29 U punoi bazat, i rrethoi me shtylla, në shtylla, në kujtim të përhershëm, vendoi armët, përngjat armëve gdhendi anije që të shiheshin prej lundëruesve në det.

30 Ky është mauzoleu që e ndërtoi në Modin e është edhe sot e kësaj dite.

31 Trifoni sillej me pabesi ndaj Antiokut, mbretit ende të ri dhe e vrau.

32 U bë mandej mbret në vend të tij. Vuri në kokë kurorën mbretërore të Azisë e bëri kërdi të madhe në vend.

33 Ndërkaq, Simoni i rindërtoi kështjellat nëpër Jude, i fortifikoi me pirgje të larta, me mure të mëdha, me dyer e me shula. Në qyteza grumbulloi ushqime.

34 Simoni zgjodhi disa njerëz e i dërgoi te mbreti Demetër për t’ia falë vendit pagesat, sepse Trifoni s’kishte bërë tjetër pos grabitje.

35 Demetri mbret i përgjigji me shkrim e i dërgoi këtë letër:

36 “Demetri mbret, Simonit kryeprift dhe mikut të mbretërve, krerëve e popullit të judenjve, shëndet!

37 E morëm kurorën e artë e gemin e palmës që na e keni dërguar. Jemi të gatshëm të lidhim me ju një paqe të qëndrueshme dhe t’u shkruajmë zyrtarëve të mbretit që t’ua falin ngarkimet.

38 Gjithçka ju kemi pasë caktuar duhet të mbesë në fuqi. Kështjellat që ju i keni ndërtuar, janë tuajat.

39 Jua falim mungesat e kundërvajtjet e gjertashme dhe kurorën që na e keni detyrë. Po edhe në qoftë se është mbledhur ndonjë tatim në Jerusalem, të mos kërkohet më.

40 Nëse ndokush prej jush është i aftë të shkruhet në rojën time trupore, le të shkruhet e paqja mbretëroftë mes nesh!”

41 Në vitin njëqind e shtatëdhjetë u hoq zgjedha e paganëve prej Izraelit.

42 Populli i Izraelit në aktet botore e në gode nisi të shkruajë: “Viti i parë nën kryepriftin e shquar Simonin, prijësin e princin e judenjve.”

43 Ndër ato ditë Simoni nguli fushimin para Gazarës dhe e rrethoi me njësitë ushtarake. Punoi një kullë lëvizëse, iu afrua qytetit, e sulmoi një kullë të saj dhe e pushtoi.

44 Ata që ishin në kullën lëvizëse dolën jashtë në qytet. Në qytet u bë pështjellim i madh.

45 Qytetarët me gra e me fëmijë hipën mbi mure, i shqyen petkat, britnin me zë të madh duke kërkuar paqe prej Simonit.

46 I thanë: “Mos u sill me ne sipas të këqijave tona, por sipas mëshirës sate!”

47 Simoni i dëgjoi e nuk i luftoi më gjatë, por i dëboi prej qytetit, i pastroi shtëpitë në të cilat kishin mbajtur idhujt e atëherë hyri duke kënduar e duke falënderuar.

48 E, pasi hoqi çdo ndotësi, në të i vendoi njerëzit që do ta kryenin Ligjin, e fortifikoi dhe aty ndërtoi banesën e vet.

49 Meqenëse ata që ishin në Qytezë të Jerusalemit nuk kishin leje të dalin e shkojnë nëpër vend për të blerë e shitur, i kapi uri e madhe e shumë prej tyre vdiqën nga uria.

50 Kërkuan nga Simoni të bëjnë paqe. Ai pranoi, por i dëboi nga andej dhe e pastroi Qytezën nga përdhunimi.

51 Atëherë hynë në të më njëzet e tre të dytit muaj të vitit njëqind e shtatëdhejte e dy me brohoritje, me palma, me tinguj lirash, cimbalësh e harpash, me këngë lavdie e hareje, sepse u çrrënjos një armik i madh nga Izraeli.

52 Simoni caktoi që çdo vit këto ditë të festohen me hare.

53 E fortifikoi Malin e Tempullit që ishte përballë Qytezës dhe aty banoi me të vetët.

54 Kur Simoni pa se i biri, Gjoni, ia arriti moshës burrërore, e vuri kamandant të të gjitha forcave ushtarake. Ky e nguli selinë e vet në Gazarë.



Fjala e Zotit