< 1Mak 11 1Mak 13 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 12)
12

1 Si pa Jonatani se po i kishte rrethanat e volitshme, i zgjodhi disa vetë dhe i dërgoi në Romë për ta rivendosur e ripërtëritur miqësinë.

2 Dërgoi po ashtu letra edhe në Spartë e në vende të tjera po me të njëjtën përmbajtje.

3 Njerëzit shkuan në Romë, hynë në senat e thanë: “Kryeprifti Jonatan e populli judeas na dërguan ta rivendosim e ta ripërtërijmë miqësinë dhe besëlidhjen si atë të mëparshmen.”

4 Ata u dhanë letra porosie për pushtete të vendeve të ndryshme që t’u ndihmojnë të kthehen në paqe në vendin e Judës.

5 Ja dysheritja e letrës që Jonatani u shkroi spartanëve:

6 “Kryeprifti Jonatan, pleqtë e kombit, priftërinjtë dhe populli tjetër judeas spartanëve vëllezër, shëndet!

7 Edhe më parë Ariu që sundonte ndër ju, i ka dërguar letër kryepriftit Oni se jeni vëllezërit tanë, siç e përmban shkresa, të cilën po e bashkangjesim.

8 Onia e pranoi me nderime njeriun që kishte qenë dërguar, i pranoi letrat në të cilat flitej për besëlidhje e miqësi.

9 Ne, pra, megjithëse nuk kemi nevojë, pasi në dorë i kemi për ngushëllimin tonë librat e shenjtë,

10 u përpoqëm të dërgojmë tek ju me qëllim që ta ripërtërijmë vëllazërinë e miqësinë që të mos bëhemi të huaj prej jush, sepse ka kaluar një kohë e gjatë qysh prej dërgatës suaj.

11 Ne, veç në çdo kohë, pa ndërprerje, në ditë të të kremteve e të tjera kur lypet, ju kujtojmë në fli që kushtojmë e në përlutje, si është e drejtë dhe ka hije të kujtohen vëllezërit.

12 I gëzohemi lavdisë suaj.

13 Rreth nesh janë shumuar vështirësitë e luftërat e shumta, po na luftojnë mbretërit fqinjë.

14 Ndër këto luftëra nuk kemi dashur t’ju mërzisim juve e besëlidhësit e të tjerë e miqtë tanë,

15 sepse kemi ndihmën e Qiellit, që na gjendet në ndihmë e me anën e tij qemë liruar nga armiqtë tanë e ata qenë mposhtur.

16 Këndej edhe zgjodhëm Numenin, birin e Antiokut, e Antipatrin, birin e Jasonit, dhe i dërguam te romakët që ta ripërtërijmë besëlidhjen e miqësinë e mëparshme.

17 Atyre gjithashtu u urdhëruam të vijnë te ju, t’ju përshëndesin e t’ju sjellin letrën tonë që ka të bëjë me ripërtëritjen e vëllazërisë sonë.

18 Do të bëshit shumë mirë nëse na përgjigjni përkitazi me këtë gjë.”

19 Ja dysheritja e letrës që ata ia kishin dërguar Onisë:

20 “Ariu, mbreti i spartanëve, kryepriftit Oni, shëndet!

21 Në një shkresë u gjend përsa u përket spartanëve e judenjve se janë vëllezër e se rrjedhin prej barkut të Abrahamit.

22 Tash, pasi u zbulua kjo, do të bëshit mirë nëse na shkruani për mirëqenien tuaj.

23 Ne, ndërkaq, po ju shkruajmë: Bagëtitë tuaja e kamja juaj, janë tonat e, gjithçka kemi ne, janë tuajat. Kemi dhënë urdhër që t’jua sjellim këtë porosi.”

24 Jonatanit i erdhi lajmi se gjeneralët e Demetrit ishin kthyer me ushtri edhe më të madhe se më parë për të luftuar kundër tij.

25 E la Jerusalemin dhe u doli përballë në krahinën e Amatit. Nuk deshi t’i lërë të hyjnë në tokën e tij.

26 Dërgoi vrojtës në fushimin e tyre. Ata u kthyen dhe e njoftuan se mendonin t’i sulmojnë natën.

27 Me të perënduar të diellit, Jonatani u urdhëroi të vetëve të rrinë zgjuar e të ngjeshur në armë gjithë natën të gatshëm për luftim. Rreth e rreth fushimit caktoi pararojën.

28 Edhe kundërshtarët e morën vesh se Jonatani me të vetët ishte i gatshëm për luftim, i kapi frikë e madhe, i lëshoi zemra dhe ndezën zjarre në fushimin e tyre.

29 Porse Jonatani e ata që ishin me të nuk ditën gjë deri në mëngjes se kishin ikur, sepse i shihnin zjarret e ndezura.

30 Atëherë Jonatani u vu t’i përndjekë, por nuk i zuri: e kishin pasë kaluar lumin Eleuter.

31 Prej andej Jonatani u soll kundër arabëve që quhen Zabadenj, i goditi rëndë dhe mori prenë.

32 Pastaj i bashkoi të vetët e shkoi në Damask e zuri ta përshkojë mbarë atë krahinë.

33 Edhe Simoni doli e shkoi deri në Askalon e në kështjella të afërme, u kthye kundër Jopës dhe e pushtoi.

34 E njëmend, kishte marrë vesh se dëshironin ta dorëzojnë qytezën në dorë të tradhtarëve të Demetrit. Në të vendoi njësitin e vet për ta ruajtur.

35 Jonatani u kthye dhe i mblodh krerët e popullit. Me ta u këshillua për ndërtim të qytezave nëpër Jude

36 e për t’i lartësuar muret e Jerusalemit si edhe për të ngritur një mur të lartë ndërmjet Qytezës e qytetit. Donte ta ndajë Qytezën prej qytetit, ta vetëmojë, kështu që ata të Qytezës të mos munden as të blejnë as të shesin.

37 U morën vesh ta ndërtojë qytetin: ishte shembur një pjesë e murit mbi përruan, në krahun e lindjes. E rindërtoi lagjen që quhet Kafernatë.

38 Simoni ndërtoi Adidën në Sefelë, e fortifikoi dhe i vuri dyert e shulat.

39 Ndërkaq Trifoni synonte të bëhej mbreti i Azisë, të stolisej me kurorë mbretërore e të çojë dorë kundër mbretit Antiok.

40 Meqenëse trembej se Jonatani do ta pengonte e, në këtë rast, do t’i shpallte luftë, pleqëroi ta kapë e ta vrasë. Këndej u çua e shkoi në Betsan.

41 Po edhe Jonatani i doli para me dyzet mijë ushtarë të zgjedhur për ta luftuar. Edhe ky arriti në Betsan.

42 Kur Trifoni pa se erdhi me ushtri të madhe, u tremb të çojë dorë kundër tij.

43 Madje e priti me nderime të mëdha dhe ua porositi të gjithë miqve të vet. I dha mandej dhurata dhe ushtrive të veta u urdhëroi ta dëgjojnë porsi atë.

44 Jonatanit i tha: “Po përse i ke trazuar të gjithë këta njerëz pasi ndërmjet nesh nuk kemi luftë?

45 Tash nisi të shkojnë në shtëpitë e veta. Zgjidhi disa burra që të të përcjellin dhe eja me mua në Ptolemaidë. Do ta dorëzoj atë qytet dhe kështjellat e tjera, ushtrinë tjetër si edhe zyrtarët e të gjithë të tjerët e atëherë unë do të largohem: për këtë arsye edhe erdha.”

46 Jonatani i besoi e bëri si i tha. Lëshoi ushtrinë që shkoi në Jude.

47 Me vete ndali tri mijë burra. Edhe prej këtyre dy mijë i dërgoi në Galile e vetëm një mijë shkuan me të.

48 Porse, posa Jonatani hyri në Ptolemaidë, qytetarët i mbyllën dyert, e kapën atë e të gjithë ata që kishin hyrë bashkë me të dhe i prenë me shpatë.

49 Trifoni atëherë dërgoi këmbësorë e kalorës në Galile edhe në Fushën e Madhe për t’i vrarë të gjithë besëlidhësit e Jonatanit.

50 Por, ata, posa morën vesh se Jonatani qe kapur dhe sharroi, ai e të gjithë ata që kishin qenë me të, i dhanë zemër njëri-tjetrit e u nisën të lidhur grushtë, të gatshëm për luftë.

51 Kur ndjekësit panë se kishin vendosur të luftojnë për jetë ose për vdekje, u kthyen prapazi.

52 Kështu të gjithë u kthyen pa farë shqetësimi në Jude. I bënë gjëmë Jonatanit e atyre që kishin qenë me të dhe i kapi një frikë e madhe. Mbarë Izraeli u vesh në zi.

53 Të gjitha kombet që ishin përreth tyre, kërkonin se si t’ua tresin farën. Njëmend u thoshte mendja:

54 “S’kanë prijës ndihmëtar! Të sulemi tash në luftë kundër tyre e ta çrrënjosim prej njerëzve kujtimin e tyre!”



Fjala e Zotit