< 1Mak 10 1Mak 12 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 11)
11

1 Mbreti i Egjiptit bashkoi një ushtri të madhe porsi rëra që është në buzë të detit. Gjithashtu, edhe shumë anije e synonte ta mundë mbretërinë e Aleksandrit me dredhi dhe t’ia bashkojë mbretërisë së vet.

2 Shkoi në Siri me fjalë paqeje. Të gjitha qytetet ia hapnin dyert e dilnin ta takonin me nderim, sepse mbreti Aleksandër, kishte dhënë urdhër t’i dilnin përpara me nderim pasi Ptolemeu ishte vjehrri i tij.

3 Por, kur hynte në qytete, Ptolemeu vendonte rojën ushtarake në çdo qytet.

4 Kur iu afrua Azotit, i dëftuan tempullin e Dagonit të djegur, Azotin me rrethinat e tija të shkatërruar, kufomat e hedhura e të djegura nga Jonatani në luftë: i kishin grumbulluar gjatë udhës së tij.

5 I treguan mbretit çfarë kishte bërë Jonatani me qëllim që ta prozhmojnë; por mbreti heshtoi.

6 Në Jope Jonatani doli ta takojë mbretin me madhëri të madhe. U përshëndetën dhe aty e kaluan natën.

7 Jonatani e përcolli mbretin deri te lumi që quhet Eleuter e pastaj u kthye në Jerusalem.

8 Mbreti Ptoleme i pushtoi qytetet bregdetare deri te Seleucia e bregut të detit e sendërgjonte shestime të këqija kundër Aleksandrit.

9 Atëherë dërgoi kasnecë te Demetri me këto fjalë: “Eja të bëjmë së bashku godi. Unë do ta jap për grua bijën time që e ka për grua Aleksandri e do të sundosh mbretërinë e tyt et.

10 Jam pendua përnjëmend që ia dhashë bijën time për grua: ai dëshiron të më vrasë.”

11 Në të vërtetë iu shpif, sepse dëshironte t’ia marrë mbretërinë.

12 E mori bijën e vet e ia dha Demetrit. Kështu ndërroi qëndrim ndaj Aleksandrit e doli sheshi armiqësia e tyre.

13 Ptolemeu hyri në Antioki dhe u kurorëzua me dy kurora - me atë të Egjiptit e të Azisë.

14 Mbreti Aleksandër aso here ndodhej në Cilici, sepse banorët e atyre krahinave ishin çuar në kryengritje.

15 Aleksandri mori vesh për këtë dhe erdhi të luftojë kundër tij. Ptolemeu u sul kundër tij me ushtri të madhe dhe e vuri në ikje.

16 Aleksandri iku në Arabi për t’u strehuar atje, e Ptolemeu ngadhënjeu.

17 Arabi Zabdiel ia preu kokën Aleksandrit e ia dërgoi Ptolemeut.

18 Pas tri ditësh vdiq mbreti Proleme. Qytetarët i vranë rojet ushtarake që i kishte venduar në qyteza.

19 Në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë u bë mbret Demetri.

20 Ndër ato ditë Jonatani bashkoi njerëzit e Judëse për ta pushtuar Qytezën e Jerusalemit dhe shtiu në përdorim shumë vegla luftarake.

21 Por, disa që e urrenin popullin e vet - njerëz të mbrapshtë - shkuan te mbreti dhe i treguan se Jonatani e kishte rrethuar Qytezën.

22 Mbreti posa e dëgjoi këtë lajm, u zemërua e, si e vërtetoi, menjëherë çoi ushtrinë dhe u kthye në Ptolemaidë. Jonatanit i shkroi të mos e mbajë në rrethim Qytezën dhe të shpejtojë të shkojë në takim me të në Ptolemaidë për të biseduar.

23 Jonatani si e mori vesh, urdhëroi të vazhdojë rrethimi, zgjodhi disa nga krerët e Izraelit e priftërinjtë, vuri edhe veten në rrezik,

24 mori argjend, ar, petka e dhurata të tjera të shumta e shkoi në Ptolemaidë te mbreti. Mbreti e priti mirë.

25 Disa njerëz të këqij të popullit të tij e paditnin,

26 por mbreti u soll me të siç u sollën paraardhësit e tij: e madhëroi para të gjithë miqve të vet,

27 ia përforcoi kryepriftësinë dhe të gjitha nderimet që i kishte pasur më para dhe e bëri të parin ndër miqtë e vet më të mirë.

28 Jonatani kërkoi prej mbretit ta shkarkojë Judenë e tri krahinat e Samarisë nga detyra e tatimeve dhe iu zotua t’i japë treqind talenta.

29 Mbreti pranoi dhe mbi të gjitha këto i shkroi Jonatanit një letër me këtë përmbajtje:

30 “Mbreti Demetër vëllait Jonatan e popullit të Judesë, shëndet!

31 Dysheritjen e letrës që ia shkruam kushëririt tonë Lastenit, që ka të bëjë me ju, ju shkruam edhe juve që të jeni në dijeni:

32 ‘Mbreti Demetër, t’et Lastenit, shëndet!

33 Për shkak të sjelljes së tyre të mirë ndaj nesh, kemi vendosur t’i bëjmë mirë popullit të Judesë, që janë miqtë tanë e sillen ndaj nesh më drejtësi.

34 Ua caktuam, prandaj, për pronë dheun e Judesë dhe tri krahinat: Aferemën, Lidën e Ramataimin, të cilat i kanë qenë dhënë Judesë nga Samaria, me të gjitha pronat e tyre, në të mirën e të gjithë atyre që kushtojnë fli në Jerusalem, në vend të të marrave mbretërore, të cilat mbretëria i nxirrte më parë prej tyre çdo vit prej prodhimeve të tokës e të pemëve.

35 Lidhur me të drejtat tona të tjera në të dhjeta e tatime, në kripore e në paga të kurorës, që me sot të gjitha po ua falim.

36 Kurrnjë nga këto vendime nuk do të zhbëhet qysh sot e më tutje.

37 Kujdesohuni, pra, ta shkruani një dysheritje të kësaj letre, t’i jepet Jonatanit dhe të vihet në Malin e shenjtë në vend të dukshëm.’”

38 Kur mbreti Demetër pa se nën sundimin e tij mbarë vendi ra në paqe dhe se askush nuk i kundërshtonte, e lëshoi tërë ushtrinë e vet, çdo njësi në vendin e vet, me përjashtim të njësiteve të huaja që i kishte marrë me pagesë nga ishujt e paganëve. Për këtë arsye e urryen të gjitha njësitet e etërve të vet.

39 Ndërkaq, Trifoni, që më parë ishte në anën e Aleksandrit, kur pa se të gjitha njësitet ushtarake të Demetrit nynykatnin kundër tij, shkoi te arabi Imalkue, i cili kujdesej për mirërritjen e Antiokut, birit të Aleksandrit.

40 Nuk ia ndau lutjen t’ia japë për ta vënë mbret në vend të t’et. I tregoi gjithçka kishte bërë Demetri e se njësitet e ushtrisë ishin armiqësuar me të. Aty qëndroi për shumë kohë.

41 Ndërkohë Jonatani kërkoi prej mbretit Demetër t’i tërhiqte ushtarët që ishin në Qytezë, në Jerusalem, si edhe të tjerët që ishin në qyteza të tjera, sepse ishin vazhdimisht në luftë me izraelitët.

42 Demetri i përgjigji Jonatanit: “S’do të bëj vetëm kaq për ty e popullin tënd, por posa ta gjej rastin e volitshëm, do të të mbuloj ty e popullin tënd me nderime.

43 Tash për tash do të bëje punë të mirë, nëse do të m’i dërgosh në ndihmë disa njerëz të tu, sepse të gjitha ushtritë e mia më lanë në rrenë.”

44 Jonatani ia dërgoi në Antioki tri mijë ushtarë të zgjedhur. Këta arritën te mbreti e mbreti iu gëzua ardhjes së tyre.

45 U bashkuan ata që ishin në qytet, njëqind e njëzet mijë vetë, me qëllim që ta vrasin mbretin.

46 Mbreti u ndrye në pallat. Ndërkaq qytetarët i zunë rrugët e qytetit dhe ia filluan sulmit.

47 Mbreti i thirri në ndihmë judenjtë. Të gjithë u bashkuan me të për t’u shpërndarë nëpër qytet. Atë ditë i vranë njëqind mijë njerëz.

48 I dhanë zjarr qytetit, morën pre të madhe dhe e shpëtuan atë ditë mbretin.

49 Kur ata të qytetit panë se judenjtë e pushtuan qytetin ashtu si kishin synuar, zemra i lëshoi dhe iu lutën mbretit:

50 “Na e shtrij të djathtën e le të zënë vend judenjtë të luftojnë kundër nesh e kundër qytetit!”

51 Ata i dorëzuan armët e bënë paqe. Judenjtë fituan nder të madh para mbretit dhe para të gjithë atyre që i përkisnin mbretërisë së tij. I dhanë nder vetvetes në mbretërinë e tij dhe u kthyen në Jerusalem me pre të madhe.

52 Mbreti Demetër hipi përsëri në fronin e mbretërisë së vet dhe vendi nën sundimin e tij gëzoi qetësi.

53 Por, u ra mohit të gjitha fjalëve që kishte dhënë, i prishi marrëdhëniet me Jonatanin, s’ia pranoi më atij meritat e tija, por i shkaktoi hidhërime të shumta.

54 Pas këtyre ngjarjeve u kthye Trifoni bashkë me Antiokun, ende krejt i ri, i cili mori mbretërinë në sundim dhe u kurorëzua me kurorë mbretërore.

55 Të gjitha njësitet e ushtrisë që i shpërndau Demetri u bashkuan rreth tij, dhe nisën të luftojnë kundër Demetrit, i cili u ktheu shpinën e iku.

56 Trifoni i zuri elefantët dhe e pushtoi Antiokinë.

57 Antioku i mitur i shkroi kështu Jonatanit: “Ta përforcoj kryepriftërinë, të caktoj parinë e katër krahinave e të emëroj ndër miqtë e mbretit.”

58 I dërgoi enë të arta, një servis për tryezë, lejen të pijë me kupa të arta, të veshet me purpur e të mbartë komçe të arta.

59 Të vëllanë e tij Simonin e caktoi prijës që nga Shkalla e Tirit e deri në kufij të Egjiptit.

60 Jonatani doli të qarkullojë krahinën e Përtejlumit dhe qytetet. Mbarë ushtria e Sirisë u bashkua me të për t’i ndihmuar. Mbërrijti në Askalon e qytetarët i dolën para me nderime të mëdha.

61 Prej andej shkoi në Gazë, por njerëzit e Gazës ia mbyllën derën. Qytetin e rrethoi Jonatani, rrethinat i dogji dhe i bëri pre.

62 Atëherë ata që Gazës iu përlutën Jonatanit, ky bëri paqe me ta e krerëve të tyre u mori peng të bijtë dhe i dërgoi në Jerusalem. Atëherë vazhdoi ta qarkullojë krahinën deri në Damask.

63 Jonatani e mori vesh se prijësit e ushtrisë së Demetrit kishin ardhur në Kades të Galilesë me një ushtri të madhe me qëllim që ta heqin nga detyra.

64 Të vëllanë Simonin e la në krahinë e vetë shkoi të ndeshet në luftë me ta.

65 Simoni e rrethoi Betsurën, e sulmoi për një kohë të gjatë duke e mbajtur në rrethim.

66 Qytetarët i shtrinë dorën e pajtimit e Simoni pranoi. Atëherë ata i dëboi nga andej e në qytet vendoi njësitin e rojës.

67 Ndërkohë Jonatani me ushtrinë e vet kishte ngulur fushimin te Ujërat e Genesarit e në mëngjes heret arritën në rrafshin e Asorit.

68 Dhe, ja, ushtria e të huajve u nis fushës t’i dalë përpara pasi në male kishte vënë pusi. Ndërkohë që ushtria po ecte rrafshit,

69 njerëzit nga pusitë dolën prej pritave e u sulën në luftë.

70 Të gjithë ata që ishin me Jonatanin ikën, asnjë prej tyre s’u ndal me përjashtim të Matatisë, birit të Absalomit e të Judës, birit të Kalfit, komandantit të ushtrisë.

71 Jonatani i shqeu petkat e veta, mori pluhur e qiti në krye dhe u lut.

72 Atëherë u kthye të luftojë kundër tyre, i theu dhe i vuri në të ikur. Ata ikën.

73 Kur të tijtë që kishin ikur panë ç’ndodhi, u kthyen tek ai dhe bashkë me të i ndoqën deri në Kades, ku e kishin fushimin; e edhe ata ngulën fushimin aty.

74 Atë ditë prej ushtrisë së të huajve ranë tri mijë ushtarë. Jonatani u kthye në Jerusalem.



Fjala e Zotit