< 1Mak 9 1Mak 11 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 10)
10

1 Në vitin njëqind e gjashtëdhjetë, Aleksandri Epifan, biri i Antiokut, erdhi dhe e pushtoi Ptolemaidën. E pranuan për mbret e nisi të mbretërojë aty.

2 Mbreti Demetër, në këtë lajm, bashkoi një ushtri shumë të madhe e doli të ndeshet me të në luftë.

3 Në anë tjetër Demetri i dërgoi Jonatanit një letër shumë paqëdashëse për t’i dhënë rëndësi.

4 Sepse mendonte: “Të shpejtojmë të bëjmë paqe me të, para se ai të bëjë paqe me Aleksandrin kundër nesh.

5 Jonatani do t’i kujtojë të gjitha të zezat që ia kemi bërë atij, vëllait të tij e popullit të tij.”

6 I dha mandej pushtet të bashkojë ushtri, të punojë armë e të jetë besëlidhës i tij. Urdhëroi gjithashtu t’i dorëzohen pengjet që ishin në Qytezë.

7 Jonatani erdhi në Jerusalem dhe e lexoi letrën para mbarë popullit e para atyre që ishin në Qytezë.

8 Këta i kapi frikë e madhe kur dëgjuan se mbreti i kishte dhënë të drejtën të mbajë në këmbë ushtri.

9 Njerëzit që ishin në Qytezë ia dorëzuan Jonatanit pengjet. Ky ua ktheu prindërve të tyre.

10 Jonatani banoi në Jerusalem e filloi ta rindërtojë e ta përtërijë qytetin.

11 Ndërtuesve u urdhëroi t’i ndërtojnë muret e për ta mbrojtur ta rrethojnë me mure me gurë të latuar Malin Sion. Ashtu edhe bënë.

12 Të huajt që ishin në fortesa që i kishte pasë punuar Bakidi, ikën:

13 secili prej tyre e lëshoi detyrën e vet e shkoi në vend të vet.

14 Vetëm në Betzurë mbetën disa tradhtarë të Ligjit e të urdhërimeve: aty gjetën strehim.

15 Mbreti Aleksandër dëgjoi për premtimet që Demetri ia kishte dërguar Jonatanit. I kishin treguar edhe për luftëra e trimëri, me të cilat ishin dalluar ai e vëllezërit e tij, si edhe për mundime që u ishte dashur t’i sprovojnë.

16 Mendoi: “A mund ta gjejmë, vallë, një burrë si ai? Ta bëjmë atë mikun e besëlidhësin tonë!”

17 Ia shkroi dhe ia dërgoi një letër me këto fjalë:

18 “Mbreti Aleksandër të fala vëllait Jonatan.

19 Kemi dëgjuar për ty se je burrë i fuqishëm e i aftë të jesh, miku ynë.

20 Ne sot të bëmë kryepriftin e popullit tënd e mikun e mbretit - i dërgoi edhe petkun e purpurt e kezën e artë - që të jesh me ne e ta ruash miqësinë me ne.”

21 Jonatani u vesh me petkun e shenjtëruar në të shtatin muaj të vitit njëqind e gjashtëdhjetë në ditën e të kremtes së Tendave. Mandej bashkoi ushtrinë e mblodhi edhe shumë armë.

22 Kur Demetri dëgjoi për këto ngjarje, u prish shumë e tha:

23 “Çka bëmë që e lejuam Aleksandrin t’i bëjë çifutët miq para nesh për t’u përforcuar?

24 Do t’u shkruaj edhe unë fjalë grishjeje e do t’u parashtroj nder e dhurata me qëllim që të kalojnë në anën tonë.”

25 Dhe u shkroi këto fjalë: “Mbreti Demetër të fala popullit të judenjve!

26 Pasi e keni mbajtur me ne godin dhe e keni ruajtur miqësinë me ne e nuk kaluat kah armiqtë tanë: e morëm mirë vesh dhe u gëzuam.

27 Vazhdoni, pra, ta ruani besnikërinë tuaj ndaj neve e ne do t’ju shpërblejmë me dhurata për gjithçka që do të bëni për ne.

28 Do t’ju falim shumë pagesa e do t’ju japim shumë dhurata.

29 Që tash po ju fal e po i shkarkoj të gjithë judenjtë nga pagesat e nga të drejtat mbi kripë e nga kurorat.

30 Edhe të tretën e prodhimeve të arave edhe gjysmën e frutave të pemëve, që më takon t’i marr, që me sot e më tutje po ia fal dheut të Judës dhe tri krahinave që i janë mbështetur asaj - Samarisë e Galilesë - prej ditës së sotme e përgjithmonë.

31 Edhe Jerusalemi le të jetë i shenjtë dhe i lirë nga pagesat e të dhjetat me gjithë rrethin që i përket.

32 I bie mohit edhe të drejtës mbi Qytezën e Jerusalemit e ia lë në dorë kryepriftit. Ai le t’i caktojë në të njerëzit që do t’i zgjedhë vetë për rojën e saj.

33 I fal lirinë pa kurrfarë shpërblimi secilit judeas që ka qenë zënë rob nga dheu i Judës kudo të jetë në mbretërinë time. Vendos që të gjithë të jenë të liruar nga pagesat edhe për bagëti të tyre.

34 Kështu edhe të gjitha të kremtet, të shtunat, hëna e re, ditët e Ligjit, tri ditët para të kremtes e tri ditë pas të kremtes, le të jenë të gjitha për të gjithë judenjtë që janë në mbretërinë time, ditë paprekshmërie e faljeje.

35 Askush s’do të ketë të drejtë të kërkojë prej tyre ndonjë pagesë ose ta trazojë ndonjërin prej tyre për çfarëdo arsyeje.

36 Do të mund të merren në ushtrinë e mbretit deri në tridhjetë mijë judenj e do t’u jepet paga si të gjithë ushtarëve të mbretit.

37 Prej tyre do të caktohen asish që do të qëndrojnë në fortesat e mëdha të mbretit, disa prej tyre do të vihen në krye të punëve të mbretit që kërkojnë besim. Kryetarët dhe prijësit e tyre do të zgjidhen prej tyre e do të jetojnë sipas ligjeve të tyre, si e ka caktuar mbreti edhe për Judenë.

38 Tri krahinat që iu shtuan Judesë nga krahina e Samarisë, le t’i mbështeten Judesë e le të jenë të sajat, nën një sundimtar të vetëm dhe të mos i nënshtrohen asnjë pushteti tjetër përveç të kryepriftit.

39 Ptolemaidën me rrethinat që i përkasin, po ia jap dhuratë Shenjtërores së Jerusalemit, për shpenzime të domosdoshme të Shenjtërores.

40 Unë do të jap çdo vit pesëmbëdhjetë mijë sikla të argjendtë prej të ardhurave të mbretit të marra nga vendet që më përkasin.

41 Gjithashtu çka mbeti pa u dhënë prej zyrtarëve në vitet e kaluara, le të jepet për nevojat e Tempullit.

42 Përveç kësaj, edhe ato pesë mijë sikla të argjendtë, që i merrnin për çdo vit nga të ardhurat e Shenjtërores, edhe këto le të falen e le t’u jepën priftërinjve që kryejnë shërbesën.

43 Kushdo të strehohet në Tempullin e Jerusalemit ose në hijen e tij për shkak të borxheve ndaj mbretit ose për çdo shkak tjetër, le të jetë i lirë me gjithë pasurinë që ka në mbretërinë time.

44 Edhe për çka duhet të ndërtohet ose të ripërtëritet në Tempull, shpenzimet le të merren nga të ardhurat e mbretit.

45 Po ashtu edhe për rindërtimin e mureve të Jerusalemit edhe për fortifikimin përreth, shpenzimet le të jepen nga vishtari i mbretit si edhe për të ndërtuar mure në Jude.” Jonatani s’i pranon ofertat e Demetrit. Vdekja e mbretit

46 Kur Jonatani e populli i dëgjuan këto fjalë, nuk u zunë besë as s’i pranuan, sepse u ranë ndër mend të këqijat e mëdha që i kishte bërë mbi Izrael e sa mundime të mëdha u kishte shkaktuar.

47 Parapëlqyen Aleksandrin, sepse ai i pari u kishte drejtuar marrëveshje paqeje, prandaj qëndruan vazhdimisht në besëlidhje me të.

48 Atëherë mbreti Aleksandër bashkoi ushtri të madhe e u nis në luftë kundër Demetrit.

49 Dy mbretërit ranë në luftë. Ushtria e Aleksandrit u thye. Demetri iu vu në shpinë dhe e mundi.

50 Lufta u ndez flakë deri në perëndimin e diellit. Por, shi këtë ditë u vra Demetri.

51 Atëherë Aleksandri dërgoi te Ptolemeu, mbreti i Egjiptit, kasnecë me këtë porosi:

52 ”Pasi u ktheva në mbretërinë time, hipa në fronin e etërve të mi, e mora në dorë pushtetin, e asgjësova Demetrin, u bëra zoti i tokës sonë,

53 nisa luftën me të, prej nesh u asgjësua ai edhe ushtria e tij, hipëm në selinë e mbretërisë së tij,

54 tash të lidhim ndërmjet nesh miqësi: ma jep vajzën tënde për grua e unë do të bëhem dhëndri yt e do të jap ty edhe asaj, dhurata të denja për ty.”

55 Mbreti Ptoleme i përgjigji kështu: “E bardhë dita, në të cilën u ktheve në tokën e etërve të tu e hipe në stolin e mbretërisë së tyre!

56 Unë do të bëj ashtu si kërkon në letër, por hiq e eja në Ptolemaidë që të shihemi e do të bëhem vjehri yt si kërkove.”

57 Ptolemeu me vajzën e vet Kleopatrën u nis nga Egjipti e erdhi në Ptolemaidë në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e dy.

58 Mbreti Aleksandër i doli përpara në takim. Ai ia dha vajzën e vet Kleopatrën. Dasmën ia bëri në Ptolemaidë me madhëri të madhe siç u ka hije mbretërve.

59 Mbreti Aleksandër i shkroi Jonatanit të shkojë e të takohet me të.

60 Ky shkoi në Ptolemaidë madhërisht dhe u takua me të dy mbretërit. U dha shumë argjend, ar e dhurata dhe fitoi hir në sytë e tyre.

61 Por, disa izraelitë, njerëz të prishur, tradhtarë të Ligjit, u bashkuan kundër tij dhe e paditën. Por, mbreti s’u vuri veshin.

62 Atëherë mbreti dha urdhër t’i hiqen Jonatanit petkat e tija e ta veshin me petka të purpurta. Ashtu edhe u bë. Mbreti e uli të rrijë përngjat vetes

63 e u urdhëroi princave të vet: “Dilni me të nëpër qytet e shpallni që askush të mos guxojë të qesë padi kundër tij për asnjë send e askush të mos goxojë ta trazojë për asgjë!”

64 Kur ata që e paditnin panë nderin që po i jepej me shpallje të zëdhënësve dhe të veshur me purpur, ikën të gjithë.

65 Mbreti i dha nder të madh, e shkroi ndër miqtë e vet të parë, e bëri udhëheqës të ushtrisë e qeveritar të krahinës.

66 Kështu Jonatani u kthye në Jerusa- lem në paqe e gëzim.

67 Në vitin njëqindegjashtëdhjetedytë, erdhi Demetri, biri i Demetrit, nga Kreta në vendin e etërve të vet.

68 Kur dëgjoi mbreti Aleksandër, u prish shumë dhe u kthye në Antioki.

69 Demetri ia besoi qeverimin e Celesirisë Apolonit siç e kishte pasur; ky bashkoi një ushtri të madhe, iu afrua Jamnisë dhe dërgoi t’i thonë kryepriftit Jonatan:

70 “Vetëm ti je ngritur kundër nesh e për shkak tënd po më përqeshin e po më poshtërojnë. Pse ti po e ushtron pushtetin tënd në male kundër nesh?

71 Nëse ti ke besim në fuqitë e tua, zbrit tash tek ne në fushë dhe aty të matemi njëri me tjetrin, sepse me mua është fuqia e qyteteve.

72 Pyet e do të dish kush jam unë e kush janë besëlidhësit tanë. Ata thonë: ‘Nuk do të mundeni të ngulni këmbë përballë nesh, sepse etërve të tu dy herë u është dashur të marrin ikjen nga vendi i vet!’

73 Kështu as tash nuk do të mund t’i bësh ballë kalorësisë e këmbësorisë së tillë në fushë, ku s’ka shkëmb, as qetë e as vend të fshihesh.”

74 Kur Jonatani i dëgjoi fjalët e Apolonit, në zemër i gufoi felgrimi, i zgjodhi dhjetë mijë ushtarë e doli nga Jerusalemi. Simoni, i vëllai, i erdhi në ndihmë.

75 E nguli fushimin kundruall Jopes. Qytetarët ia mbyllën derën, sepse në Jope ishte roja e Apolonit. Këta ia nisën luftës.

76 Ata që ishin në qytet u trembën dhe ia hapën derën e Jonatani e pushtoi Jopen.

77 Apoloni e mori vesh, çoi në këmbë tri mijë kalorës e një ushtri të madhe. U nis drejt Azotit, kinse do të largohej,por menjëherë doli në fushë, sepse kishte shumë kalorës e kishte në ta besim të madh.

78 Jonatani iu vu pas deri në Azot e ushtritë ranë në betejë.

79 Por, Apoloni i la pas tyre të fshehur një mijë kalorës.

80 Jonatani u kujtua se e kishte pusinë pas shpine. Ata ia rrethuan njësitë dhe e gjuajtën ushtrinë me shigjeta prej mëngjesit e deri në mbrëmje.

81 Ushtria qëndroi ashtu si i kishte urdhëruar Jonatani e, ndërkaq, kalorësit e tij u lodhën.

82 Atëherë Simoni e qiti ushtrinë e vet dhe u sul kundër ushtrisë së rreshtuar për luftim, pasi kalorësit ishin të lodhur. Ata u thyen prej tij dhe ikën.

83 Po ashtu edhe kalorësit u shpërndanë nëpër fushë, ikën në Azot dhe u ndrynë në Betdagon, në tempullin e idhullit të vet, për të gjetur shpëtim.

84 Atëherë Jonatani e dogji Azotin edhe qytetet që ishin rreth tij, i bëri pre dhe e dogji tempullin e Dagonit me të gjithë ata që ishin strehuar në të.

85 Rreth tetë mijë njerëz qenë të prerë me shpatë e të djegur në zjarr.

86 Jonatani çoi prej andej me ushtri e nguli fushimin para Askalonit. Qytetarët i dolën përpara me madhëri të madhe.

87 Atëherë Jonatani u kthye në Jerusalem me njerëzit e vet të ngarkuar me pre të shumta.

88 Kur mbreti Aleksandër dëgjoi për këto ngjarje, zuri ta nderojë edhe më shumë Jonatanin,

89 i dërgoi komçen e artë, siç është doke t’u jepet kushërinjve të mbretit dhe ia dha për pronë Akaronin me të gjithë territorin e tij.



Fjala e Zotit