< 1Mak 2 1Mak 4 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 3)
3

1 Në vend të tij u vu i biri, Juda që quhet Makabé.

2 I ndihmonin të gjithë vëllezërit e tij si edhe të gjithë ata që i ishin mbështetur babës së tij. Me gëzim luftonin luftën e Izraelit.

3 Zërin e mirë ia hapi popullit të vet, si vigan në pancir u vesh, armët e luftës në ijë i ngjeshi e në luftime të ashpra ra duke mbrojtur me shpatë fushimin!

4 Në luftëra qe porsi luani, zog luani kur në gjoje ulëron!

5 I ndoqi të këqijtë duke i gjurmuar, i dogj përndjekësit e popullit të vet.

6 Prej frikës së tij u strukën të mbrapshtët, të turpëruar bakëqijtë mbetën, përparoi në dorë të tij shpëtimi!

7 Shumë mbretërve u shkaktoi kokëçarje e Jakobin me vepra e kënaqte; për jetë të jetës do të jetë i bekuar kujtimi i tij.

8 I përshkoi qytetet e Judës, i shpërndau të patenzonët prej tij e ia hoq Izraelit hidhërimin.

9 I shkoi zëri deri në skajet të tokës, i bashkoi ata që kishin tretur.

10 Apoloni bashkoi disa paganë dhe një ushtri të madhe nga Samaria për të luftuar kundër Izraelit.

11 E mori vesh Juda dhe i doli para ta ndeshë. E mundi dhe e vrau. Shumë mbetën të plagosur për vdekje e të tjerët morën ikjen.

12 Morën pre prej tyre. Juda e mori shpatën e Apolonit. E përdoroi në luftë gjatë gjithë jetës së vet.

13 Kur Seroni, komandanti i ushtrisë së Sirisë, mori vesh se Juda kishte bashkuar rreth vetes njerëz besimtarë e të gatshëm për luftë,

14 tha: “Do t’i qes zërin vetes e do të nderohem me lavdi në mbretëri. Do ta mundi Judën dhe ata që janë me të, dhe e përbuzin urdhrin e mbretit.”

15 U nis, pra, ai e me të një ushtri shumë e fortë të patenzonësh si ndihmë e tij për t’iu ahmarrë izraelitëve.

16 U afrua deri në tatpjetën e Betoronit e Juda i doli para me pak njerëz.

17 Kur e panë ushtrinë, duke u afruar përballë tyre, njerëzit i thanë Judës: “Si do të mundemi ne kaq pak të luftojmë kundër një ushtrie kaq të madhe? Për më tepër jemi të këputur se sot s’kemi ngrënë asgjë!”

18 Juda u përgjigji: “Është punë e lehtë që shumica të bjerë në duar të pakicës. S’ka dallim për Qiellin të shpëtojë me anë të shumicës ose të pakicës,

19 sepse fitorja në luftë nuk varet nga ushtria e madhe, por fuqia që vjen nga Qielli.

20 Këta vijnë kundër nesh plot kreni e bakeqësi për të na zhbirë ne, gratë tona e bijtë tanë e për të na plaçkitur,

21 kurse ne luftojmë për të shpëtuar jetën e ligjet tona.

22 Vetë Zoti do t’i asgjësojë para syve tanë! Mos ua kini aspak frikën!”

23 Si foli kështu, u sul papritmas kundër tyre. Para Judës u shpartallua Seroni e ushtria e tij.

24 I ndoqi shpatit të Betoronit deri në fushë. Prej tyre mbetën të vrarë tetëqind burra, kurse të tjerët ikën në krahinën e filistenjve.

25 Kështu zuri të përhapet frika e Judës dhe e vëllezërve të tij dhe paganët përreth i pushtoi tmerri.

26 Zëri i tij arriti deri te mbreti e të gjithë popujt flisnin për luftërat e Judës.

27 Kur Antioku i dëgjoi këto fjalë, u zemërua në shpirt. Dha urdhër dhe e bashkoi ushtrinë e mbarë mbretërisë së vet, ushtri veç ashtu të fortë.

28 E hapi vishtarin e vet dhe e pagoi ushtrinë për një vjet dhe urdhëroi të jetë gati për çdo rast.

29 E hetoi se po mungonin paratë në vishtarët e tij, sepse të marrat e krahinës ishin të vogla për shkak të dasive e të rrënimeve që kishte sjellë në vend shi pse kishte dashur t’i çrrënjosë doket që ishin në fuqi qysh nga kohët e lashta.

30 U tremb se s’do të ketë me çka t’i mbulojë shpenzimet e të ndante dhurata, si ia kishte dalë të bëjë më se një herë më përpara pa e rrudhur dorën duke ua kaluar në këtë gjë mbretërve, paraardhësve të tij.

31 Në një ngushticë të tillë shpirtërore, vendosi të shkojë në Persi për të bashkuar tatimet e krahinave e për të grumbulluar sa më shumë para.

32 E la Lizjen, njeri bujar nga shtëpia mbretërore, t’i kryeushtrojë punët e shtetit nga lumi Eufrat deri në kufijtë e Egjiptit

33 e ia la në kujdes Antiokun, të birin, deri që të kthehej.

34 Ia la edhe gjysmën e ushtrisë me elefantë, i dha urdhrat lidhur me gjithçka kishte synuar sidomos që kishte të bëjë me banorët e Judesë e të Jerusalemit:

35 i urdhëroi të çonte kundër tyre ushtri për ta zhdukur e çrrënjosur fuqinë e Izraelit e Tepricat e Jerusalemit, ta zhdukte kujtimin e tyre nga vendi,

36 ta banojë mbarë vendin me njerëz të huaj dhe tokën t’ua ndajë me short.

37 Mbreti mandej mori gjysmën tjetër të ushtrisë dhe e lëshoi Antiokinë, kryeqytetin e mbretërisë së vet, në vjetin njëqind e dyzet e shtatë; kaloi lumin Eufrat e vazhdoi të përshkojë krahinat e larta.

38 Atëherë Lizja zgjodhi Ptolemeun, birin e Dorimenit, edhe Nikanorin e Gorginë, trima të zgjedhur për guxim ndër miqtë e mbretit

39 dhe i nisi me ta dyzet mijë njerëz e shtatë mijë kalorës në Jude për ta shkretuar sipas urdhrit të mbretit.

40 Këta u nisën me mbarë ushtrinë, arritën afër Emausit dhe aty në rrafshinë ngulën fushimin.

41 Tregtarët e krahinës morën vesh për këtë gjë, morën argjend e ar me shumicë të madhe edhe vargje dhe erdhën në fushim të ushtrisë për t’i blerë si skllevër bijtë e Izraelit. Kësaj ushtrie iu shtua edhe ushtria e Sirisë dhe e vendeve të tjera.

42 Juda e vëllezërit e tij panë se ishin shumuar të këqijat, se ushtria nguli fushimin në vendin e tyre, dëgjuan edhe për urdhrin e mbretit që e kishte dhënë të zhbihet populli e të shfaroset.

43 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: “Ta ngritin nga rrënimi popullin tonë, të luftojmë për popullin tonë e për tokat tona të shenjta!”

44 Bashkuan kuvendin për t’u përgatitur për luftim, për t’u lutur e për të kërkuar hir dhe mëshirë.

45 Pa banorë shkretë mbeti Ruzalemi, prej bijsh të tij kush s’hynte as s’dilte. Shenjtërorja me këmbë shqelmohej Bijtë e huaj në Fortesë qëndronin, për paganët erdhi e u bë han! Për Jakobin meni gëzimi, shuajti fyelli e citara!

46 Izraelitët u bashkuan në Masfë, përballë Jerusalemit, sepse në Masfë më përpara e ka pasur Izraeli vendin e uratës.

47 Atë ditë agjëruan, u veshën me grathore, kresë i qitën hi, i shqyen petkat e veta,

48 hapën Librin e Ligjit për të kërkuar në të çka kërkojnë paganët prej idhujve.

49 I sollën petkat priftërore, frutat e para e të dhjetat, i qitën përpara nazarenjtë që i kishim kryer ditët e kushtimit

50 dhe klithën me zë të lartë drejt Qiellit: “Çfarë do të bëjmë me këta e ku do t’i çojmë,

51 pasi Shenjtërorja jote është e shqelmuar dhe e përdhosur e priftërinjtë e tu janë në zi e të përvujtëruar?

52 Paganët janë bushkuar e erdhën për të na zhdukur: e di mirë se çka na mendojnë!

53 Si do të mund t’u bëjmë ballë nëse ti nuk do të na vijsh në ndihmë?”

54 U ranë borive e bërtitën me zë të lartë.

55 Pas këtyre Juda caktoi prijësit e popullit: prijësit e një mijëve, të qindëve, të pesëdhjetëve e të dhjetëve

56 e u tha atyre që po ndërtonin shtëpitë, që po martoheshin, që po mbëltisnin vreshta e frikacakëve të kthehej secili në shtëpinë e vet sikurse urdhëron Ligji.

57 E çuan fushimin e shkuan e ngulën në jug të Emausit.

58 Atëherë Juda u tha: “Ngjeshuni e jini burra të fortë! Jini të gatshëm për nesër në agim të luftoni kundër këtyre kombeve që u bashkuan për të luftuar kundër nesh e për të na zhbirë ne dhe vendet tona të shenjta!

59 Është më mirë për ne të vdesim në luftë se ta shikojmë të keqen e popullit tonë e të vendit tonë të shenjtë.

60 Do të ndodhë ashtu si e ka vendosur Qielli!”



Fjala e Zotit