< 1Mak 1 1Mak 3 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 2)
2

1 Ndër ato ditë Matatia, biri i Gjonit, biri i Simonit, prift nga të bijtë e Joaribit, e la Jerusalemin e nguli në Modin.

2 Kishte pesë djem: Gjonin, të quajtur Gadi,

3 Simonin, të quajtur Tasi,

4 Judën, të quajtur Makabé,

5 Eleazarin, të quajtur Abaron, edhe Jonatanin, të quajtur Afus.

6 Duke parë hyjshmitë që bëheshin në Jude e në Jerusalem, Matatia

7 tha: “I mjeri unë! Vallë, a linda për ta parë rrënimin e popullit tim e rrënimin e Qytetit të shenjtë? Rrinin aty me duar në ijë, ndërsa jepej ndër duart e armiqve edhe Shenjtërorja në duar të të huajve!

8 Tempulli i tij u bë si njeriu i pander,

9 enët - nderi i tij, u rrëmbyen si pre, foshnjat e tija u prenë në fyt në sheshet e tija, djelmoshat e tij i preu shpata e amrikut!

10 Cilit popull s’i kaloi në trashëgim mbretëria e tij, e s’ia mori plaçkat e tija?

11 U mor gjithë stolia e tij. Ishte i lirë e u bë skllav!

12 Ja, vendi ynë i shenjtë - bukuria jonë, nderi ynë u shkretuan, i përdhosën paganët!

13 E ç’na duhet më të jetojmë?”

14 Matatia e bijtë e tij i shqyen petkat e veta, veshën grathoret e bënë vaj të madh.

15 Ndërkaq oficerët e mbretit, të caktuar për ta bërë popullin të bjerë nga besimi, erdhën në Modin për të flijuar.

16 Shumë prej izraelitëve shkuan me ta, kurse Matatia e bijtë e tij ndenjën mbanë.

17 Të dërguarit e mbretit morën fjalën e i thanë Matatisë: “Ti je njeri me autoritet, bujar dhe i madh në këtë qytet, të përkrahin djemtë e vëllazëria.

18 Tash, afrohu i pari dhe kryeje urdhrin e mbretit, siç bënë popujt e tjerë, të gjithë madje edhe njerëzit e Judesë që nuk e lënë Jerusalemin e do të bëhesh ti e bijtë e tu miqtë e mbretit, e do të keni për shpërblim argjend e ar e dhurata të shumta.”

19 Matatia mori fjalën e foli me zë të lartë: “Edhe në qoftëse të gjitha kombet, që i përkasin perandorisë së mbretit, e dëgjojnë mbretin, duke e lënë secili hyjnderimin e etërve të vet dhe i pranojnë urdhërimet e mbretit,

20 unë, bijtë e mi e vëllezërit e mi do të jetojmë sipas Besëlidhjes së etërve tanë.

21 Mos e thëntë Zoti ta lëmë Ligjin e urdhërimet!

22 Prandaj, s’do t’i dëgjojmë urdhrat e mbretit t’i shmangemi besimit tonë as djathtas as majtas.”

23 Posa i kreu këto fjalë, një judeas u çua, ndër sy të të gjithëve, nisi të flijojë në lterin në Modin sipas urdhrit të mbretit.

24 Kur e pa Matatia, zelli i mori flakë, i gufoi zemra nga felgrimi i drejtë, u sul dhe e theri judeun mbi lter.

25 Po aty për aty e vrau edhe të dërguarin e mbretit që i shtrëngonte të flijojnë dhe e rrafshoi lterin.

26 Zelli i tij për Ligjin qe si zelli i Fineesit kundër Zamriut, birit të Salomit.

27 Atëherë Matatia nisi të bërtasë me sa zë kishte nëpër qytet: “Secili që ka zell për Ligjin e dëshiron ta mbrojë Besëlidhjen, le të vijë pas meje!”

28 Atëherë iku në male ai e bijtë e tij duke lënë gjithçka kishin në qytet.

29 Atëherë shumë njerëz, që e kishin për zemër drejtësinë e të drejtën, shkuan për të jetuar në shkretëtirë.

30 Ata, bijtë e tyre, me gra e me bagëti të tyre, i kishin rënduar shumë të vështira.

31 U lajmëruan njerëzve të mbretit dhe ushtrisë që ishte në Jerusalem, në Qytetin e Davidit, se disa njerëz, që s’e kishin dëgjuar urdhrin e mbretit, kishin zbritur në vende të fshehta nëpër shkretëtirë.

32 Shkuan shumë për t’i ndjekur, i zunë, ngulën fushimin përballë tyre dhe u bënë gati për t’i sulmuar ditën e shtunë.

33 U çuan fjalë: “Mjaft më! Dilni e bëni sipas urdhrit të mbretit e do t’ju falet jeta!”

34 Ata përgjigjën: “S’do të dalim as s’do ta zbatojmë urdhrin e mbretit për ta dhunuar ditën e shtunë.”

35 Ata u sulën kundër tyre.

36 Por, këta nuk kundërshtuan, s’qitën asnjë gurë as kundër tyre as s’i mbrojtën vendet e veta të fshehta.

37 Vendosën: “Le të vdesim të gjithë në pafajësinë tonë! Qielli e toka janë dëshmitarë për ne se po na vritni padrejtësisht!”

38 Ata u lëshuan në luftë kundër tyne ditën e shtunë: mbetën të vrarë ata, gratë e tyre, fëmijët e tyre dhe bagëtitë e tyre, përafërsisht një mijë njerëz.

39 Matatia e miqtë e tij e morën vesh, u bënë vaj të madh

40 e i thanë njëri-tjetrit: “Nëse të gjithë bëjmë si bënë vëllezërit tanë e nëse nuk do të luftojmë kundër paganëve për jetën tonë e për ligjet tona, s’do të vonojnë të na zhdukin nga toka”.

41 Po atë ditë morën këtë vendim: “Çdo njeri që do të vijë ditën e shtunë të luftojë kundër nesh, do të lufotjmë kundër tij e s’do të vdesim të gjithë si vdiqën vëllezërit tanë në strehimore.”

42 Atëherë u bashkua me ta grupi i asidenjve, trima të spikatur nga Izraeli, të gjithë njerëz të dhënë për Ligjin.

43 Gjithashtu edhe ata që iknin për shkak të përndjekjeve u bashkuan me ta e u bënë ndihmë atyre.

44 Kështu formuan një ushtri dhe i goditnin fajtorët me hidhërim dhe njerëzit e këqij me felgrim; një pjesë tjetër iku për të gjetur shpëtim ndër kombe.

45 Matatia e shokët e tij përshkuan vendin e rrënuan lterët

46 dhe i rrethprenë përdhunë fëmijët e të gjithë që i gjetën që nuk ishin rrethprerë, brenda kufijve të Izraelit.

47 I përndoqën krenarët e ndërmarrja e tyre përparoi në dorën e tyre.

48 E mbrojtën Ligjin nga dora e paganëve e nga pushteti i mbretit dhe nuk e lanë të çojë krye mëkatari.

49 Ndërkaq Matatisë po i afrohej dita e vdekjes dhe ai u tha të bijve: “Ja, tash e mori në dorë sundimin krenia e poshtërsia, erdhi koha e shkatërrimit dhe e felgrimit të përmnershëm.

50 Juve, tash, o bij, u përket të keni zell për Ligjin. Jepeni jetën tuaj për Besëlidhjen e etërve tuaj.

51 Kujtoni veprat që i kryen etërit në kohën e tyre e do të fitoni nder të madh e emër të përhershëm.

52 Vallë, a nuk u dëftua Abrahami besnik në provë dhe kjo iu çmua drejtësi?

53 Jozefi në kohën e ngushticës së vet e mbajti Ligjin dhe u bë zotëria i Egjiptit.

54 Fineesi, ati ynë, pse dëftoi zell të madh, fitoi besëlidhjen e priftërisë së pambarueshme.

55 Jezusi pse e çoi në vend urdhrin, u bë gjyqtar në Izrael.

56 Kalebi pse e dëshmoi të vërtetën në mbledhje, fitoi trashëgimin.

57 Davidi, në saje të mëshirës së vet, fitoi fronin e mbretërisë së pambarueshme.

58 Elia pse digjej nga zelli i Ligjit, u pranua në qiell.

59 Anania, Azaria e Misaeli, pse patën besim të fortë, qenë shpëtuar nga flaka.

60 Danieli, në saje të pafajësisë së vet, qe shpëtuar nga goja e luanëve.

61 Kështu kujtoni nga breznia në brezni, se të gjithë ata që shpresojnë në të, kurrë nuk do të mbarojnë keq.

62 Mos kini frikë prej fjalëve të mëkatarit, sepse nderi i tij mbaron në pleh e ndër krimba:

63 sot lartësohet e nesër s’mund të gjendet, sepse kthehet në pluhur nga edhe erdhi e marrin fund synimet e tija.

64 Jini të fortë, bijtë e mi, e burrërisht mbajeni Ligjin, sepse në të do të jeni të lavdishëm.

65 Ja, Simoni, vëllai juaj! E di se është njeri i mençur: dëgjojeni gjithmonë: ai do të jetë ati juaj.

66 Juda Makabe, trim i zgjedhur që prej rinisë së vet, le t’ju jetë prijësi i ushtrisë, ai do ta udhëheqë luftën e popullit.

67 Mblidhni rreth jush të gjithë ata që e zbatojnë Ligjin dhe ahmerruni për popullin tuaj.

68 Kthejuni ndëshkimin e duhur paganëve e zbatoni rregulloret e Ligjit.”

69 Atëherë i bekoi e u bashkua me etërit e vet.

70 Vdiq në vitin njëqind e dyzet e gjashtë. Qe varrosur në varret e etërve të vet në Modin. Mbarë Izraeli i bëri gjëmë të madhe.



Fjala e Zotit