< Es 10 1Mak 2 >
Lexim prej librit të parë të Makabenjve(1Mak 1)
1

1 Pasi Aleksandri biri i Filipit, maqedonas, që më parë mbretëroi në Greqi, doli nga dheu Ketim, e goditi Dariun, mbretin e persianëve e të medëve,

2 ndërmori shumë luftëra, pushtoi qyteza dhe i vrau mbretërit vendës,

3 atëherë arriti deri në skajin e tokës e pushtoi shumë popuj. Atëherë toka mbarë heshtoi para tij, iu rrit mendja e zemra iu mbush me kreni.

4 Bashkoi një ushtri tejet të fortë, nënshtroi krahina, kombe e princa e i bëri t’i paguajnë të dhjetat e varësisë.

5 Atëherë u sëmur dhe e pa se po vdiste.

6 I thirri oficerët e vet, bujarët që kishin qenë rritur bashkë me të që në moshën e re dhe, ndërsa ishte ende gjallë, ua ndau mbretërinë e vet.

7 Aleksandri vdiq pasi kishte mbretëruar dymbëdhjetë vjet.

8 Oficerët e morën pushtetin secili në krahinën e vet.

9 Pas vdekjes së tij të gjithë u kurorëzuan, kështu edhe bijtë e tyre pas tyre gjatë vjetëve vijues. Kështu u shumëzuan të këqijat mbi tokë. Antioku Epifan dhe depërtimi i helenizmit në Izrael

10 Prej tyre ngalliti një pinjoll i patenzonë, Antiok Epifani, biri i mbretit Antiok, që kishte qenë në Romë peng. Ky u bë mbret në vitin njëqind e tridhjetë e shtatë të mbretërisë së grekëve.

11 Ndër ato ditë u ngritën nga Izraeli disa njerëz të këqij, të cilët ua mbushën mendjen një shumice duke u thënë: “Të shkojmë e të bëjmë lidhje me kombet që na rrethojnë, sepse, qysh se u ndamë prej tyre, na gjetën shumë të këqija.”

12 Shumicës i pëlqeu kjo gjë.

13 Disa prej popullit morën vendim e shkuan te mbreti, i cili u dha të drejtë t’i shtien në veprim doket e paganëve.

14 Ndërtuan në Jerusalem një gjimnastikore sipas dokeve të paganëve;

15 e ndreqën shenjën e rrethprerjes, i ranë mohit besëlidhjes së shënjtë dhe u shoqëruan me paganë: u shitën për të bërë të keqen. Sulmi i parë kundër Egjiptit e plaçkitja e Tempullit

16 Kur Antioku e përforcoi pushtetin e vet, ai synoi të pushtojë Egjiptin që të mbretronte mbi të dy mbretëritë.

17 Hyri në Egjipt me një ushtri tejet të madhe, me karroca lufte, me elefantë, me kalorës e me anije të shumta.

18 Nisi luftën kundër Ptolemeut, mbretit të Egjiptit. Ptolemeun e kapi frika prej tij dhe iku. Shumë njerëz mbetën të vrarë.

19 U pushtuan fortesat e Egjiptit e Antioku e plaçkiti dheun e Egjiptit.

20 Pasi e theu Egjiptin, Antioku u kthye në vitin njëqind e dyzet e tre dhe e sulmoi Izraelin, e me një ushtri të madhe hyri në Jerusalem.

21 Me kreni të madhe hyri në Shenjtërore, rrëmbeu lterin e artë, shandanin e dritës me të gjitha veglat e tija,

22 tryezën e kushtimit të bukëve, enët e njomjes, gotat, kemoret e arta, velin, kezat dhe të gjitha stolitë e arta në ballanikun e Tempullit dhe s’la gjë.

23 Plaçkiti argjend, ar dhe enët e çmueshme; i gjeti dhe i rrëmbeu vishtarët e fshehtë.

24 Pasi mori krejt çka gjeti, u kthye në vendin e vet, vrau shumë njerëz e fliste me krenari të madhe.

25 U bë vaj i madh në Izrael në çdo vend të tyre. Rënkuan prijës e pleq, u mekën të reja e të rinj, u zhduk bukuria e grave.

26

27 Çdo dhëndërr vajit ia nisi, në zi u mbështoll në dhomën e vet nusja.

28 U trand toka për banorët e vet, mbarë shtëpia e Jakobit u mbulua me turp.

29 Pas dy vjetëve mbreti dërgoi mbikëqyrësin e tatimeve në qytetet e Judës. Ai erdhi në Jerusalem me një ushtri të madhe.

30 Ai u drejtoi me dredhi fjalë paqeje edhe ata i besuan. Atëherë u sul papritmas kundër qytetit, i dha goditje të mëdha e vrau shumë nga populli i Izraelit.

31 Plaçkiti gjithçka pati në qytet, qytetin e dogji, i rrënoi shtëpitë e tija dhe ia rrafshoi muret e rrethimit.

32 Gra e fëmijë u morën në skllavëri dhe i rrëmbyen për vete të gjitha bagëtitë.

33 Qytetin e Davidit e ndërtuan me mur të madh e të fortë e me pirgje të forta dhe kështu u bë fortesa e tyre.

34 Në të venduan njerëz të poshtër, njerëz të pashpirtë, të cilët u forcuan brenda.

35 Grumbulluan armë e ushqime e, si e plaçkitën Jerusalemin, prenë e venduan aty dhe u bënë një kurth i madh.

36 U bë pritë për Shenjtëroren, kundërshtar i keq i përhershëm i Izraelit.

37 Përreth Shenjtërores gjak të pafajshëm derdhën dhe e dhunuan Vendin e shenjtë.

38 Nga dhuna e tyre jerusalemasit ikën, qyteti u bë vendbanim i të huajve, u bë i huaj për njerëzit e vet, bijtë e tij e lanë e shkuan!

39 Shenjtërorja e tij e shkretë mbeti si shkretëtira, të kremtet e tija u kthyen në vajtime, të shtunat e tija në poshtërsi, nderi i tij në çnderim u kthye.

40 Sa më të madh që e pat nderin, aq më fort iu shtua çnderimi, madhëria e tij u kthye në zi!

41 Atëherë mbreti Antiok shkroi një shpallje për mbarë mbretërinë që të gjithë të trajtonin një popull të vetëm

42 e t’i lënë doket e veta. Të gjitha kombet e pranuan urdhrin e mbretit Antiok.

43 Shumë edhe prej izraelitëve pranuan hyjnderimin e tij, u flijuan idhujve dhe e prishën të shtunën.

44 Mbreti dërgoi në Jerusalem e në qytetet e Judesë me anë të të dërguarve të vet letra që t’u përshtaten dokeve të paganëve vendës,

45 të mos kushtojnë fli shkrumbimi, therore, fli kushti në Tempullin e Hyjit, të mos kremtohen më të shtunat e të kremtet,

46 të dhunohet Shenjtërorja e gjithçka është e shenjtë,

47 të ndërtohen lterë, tempuj e idhuj, të flijohen thi e kafshë të papastërta,

48 t’i lënë fëmijët pa rrethprerë, të bëhen të papastër me çdo lloj papastërtie e irie,

49 kështu që ta harrojnë Ligjin e t’i ndërrojnë të gjitha doket e shenjtërimit.

50 Kush të mos e dëgjojë fjalën e mbretit Antiok, dënohet me vdekje.

51 Lidhur me të gjitha këta urdhra mbreti i shkroi mbarë mbretërisë së vet, caktoi mbikëqyrës mbi mbarë popullin dhe u urdhëroi qyteteve të Judës të flijojnë në çdo qytet.

52 Qe shumicë nga populli që u bashkuan me ta, me të gjithë ata që e tradhtuan Ligjin e bënë të këqija të mëdha në vend.

53 E shtrënguan Izraelin të fshihet në çdo vend të fshehtë.

54 Më pesëmbëdhjetë të muajit Kasleu të njëqindedyzetepestin vit, mbreti e ndërtoi Irinë e shkretimit mbi lterin e flive të shkrumbimit dhe në qytete të Judës përrreth lterë,

55 para dyrve të shtëpive në sheshe, digjnin kem.

56 Librat e Ligjit që i gjetën, pasi i shqyenin, i digjnin në zjarr.

57 Nëse te ndokush gjendej ndonjë libër i besëlidhjes ose që e pranonte Ligjin, vritej me urdhrin e mbretit.

58 Pasi fuqinë e kishin në dorë, bënin kështu kundër Izraelit, kundër atyre që i zbulonin muaj për muaj në qytete.

59 Më njëzet e pesë të muajit flijonin mbi lterin që e kishin ndërtuar mbi lterin e flive të shkrumbimit.

60 Gratë që i kishin rrethprerë fëmijët e vet, i vritnin në bazë të shpalljes -

61 ua varnin fëmijët për qafe - i vritnin edhe anëtarët e familjes së tyre si dhe ata që i kishin rrethprerë.

62 Megjithëkëtë, një shumicë në Izrael qenë të guximshëm e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastërta:

63 më parë zgjodhën vdekjen se të ndoten me ushqime të papastërta e ta prishin Besëlidhjen e shenjtë: bënin vdekjen!

64 Vërtet një felgrim tejet i madh bënte kërdi mbi Izraelin!



Fjala e Zotit