1 Davidi i bashkoi të gjithë prijësit e Izraelit, prijësit e fiseve dhe udhëheqësit e rendeve që ishin në shërbim të mbretit: mijëtarët e urdhërqindësit, si edhe ata që ishin kryekujdestarë të pasurisë së mbretit dhe të fëmijëve të tij, me oborrtarë, me trimat e fortë që i kishte në Jerusalem.
2 Davidi u ngrit në këmbë dhe tha:
“Më dëgjoni, vëllezërit e mi e populli im! Unë kam menduar të ndërtoj një shtëpi në të cilën të pushojë Arka e Besëlidhjes së Zotit e të jetë shtrojë për këmbët e Hyjit tonë. Gjithçka duhet për ta ndërtuar e kam bërë gati.
3 Porse Hyji më tha: ‘Ti s’do ta ndërtosh Shtëpinë në nder të Emrit tim, sepse je luftëtar e ke derdhur gjak’.
4 Prej mbarë shtëpisë sime Zoti, Hyji i Izraelit, më zgjodhi mua që të jem mbret mbi Izraelin përgjithmonë. Judën e zgjodhi për derë të parë, kurse prej shtëpisë së Judës, shtëpinë e tim eti e prej bijve të babait tim Atij i pëlqeu të më zgjedhë mua për mbret mbi mbarë Izraelin.
5 Po ashtu edhe prej bijve të mi ‑ e Zoti më fali fëmijë shumë ‑ Zoti e zgjodhi Salomonin, tim bir, për të ndenjur mbi fron të mbretërisë së Zotit mbi Izraelin.
6 Sepse Zoti më tha: ‘Salomoni, yt bir, do të ma ndërtojë shtëpinë dhe tremet e mia: sepse atë e kam zgjedhur për birin tim dhe unë do t’i jem atij babë.
7 Mbretërinë e tij do ta bëj të qëndrueshme deri në amshim në qoftë se do të vazhdojë t’i kryejë urdhërimet e mia dhe ligjet siç po vepron sot’.
8 E tani, para mbarë Izraelit, bashkësisë së Zotit, ku po na dëgjon Hyji ynë, ruani e shqyrtoni hollë të gjitha urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, që ta gëzoni këtë tokë të mirë e t’ua lini fëmijëve tuaj trashëgim pas jush brez pas brezit deri në amshim.
9 Kurse ti, o biri im Salomon, njihe Hyjin e babait tënd e shërbeji me zemër të përsosur e me shpirt të gatshëm, sepse Zoti i shqyrton zemrat e të gjithëve dhe i di të gjitha mendimet e mendjeve: nëse do ta kërkosh, ai do të lejojë ta gjesh; nëse do ta lësh atë, ai do të të përbuzë e do të të flakë për amshim.
10 Kuptoje, pra, tani se Zoti të ka zgjedhur që ta ndërtosh Shtëpinë e Shenjtërores: merr guxim e kryeje”.
11 Davidi ia dha Salomonit, djalit të vet, gjedhen e paraderës, të tempullit, të magazinave, të dhomave të brendshme, të dhomave në katin e shtëpisë dhe të Shtëpisë së Pajtimit;
12 si dhe gjedhen e të gjithave që i kishte sajuar me mendje, për treme të Shtëpisë së Zotit, të të gjitha dhomave përreth, për thesarë të Shtëpisë së Zotit dhe për thesarë të gjërave të shuguruara,
13 për rendet e priftërinjve e të levitëve, për çdo punë në shërbesë të Shtëpisë së Zotit dhe për çdo enë të shërbesës së Tempullit të Zotit;
14 arin në peshë për çdo enë të shërbesës, argjendin në peshë për të gjitha enët e argjendta që duhen për shërbime të ndryshme.
15 Po ashtu edhe qirinjmbartës të artë e dritëza të arta për ta e dha arin sipas masës së duhur të secilit qirinjmbartës e dritëz në peshë; po edhe për qirinjmbartës e dritëza të tyre të argjendta i dha argjend në peshë.
16 Arin në peshë për tryeza në të cilat kanë për t’u vendosur bukët e kushtimit, për secilën tryezë, po ashtu edhe argjendin për tryezat e tjera të argjendta.
17 Gjithashtu për pirunj, për kusia, për kupa ari të kulluar, për gota të arta sipas cilësisë aq sa duhej për një gotë; po ashtu edhe për gota të argjendta, caktoi argjend në peshë për çdo gotë.
18 Po ashtu edhe për lterin e kemimit, ar të pastër e ar për koçinë me kerubinë që i shtrijnë krahët dhe e mbulojnë Arkën e Besëlidhjes së Zotit.
19 “Të gjitha këto ‑ tha ‑ ishin të shkruara me dorën e Zotit që të mund t’i njohë të gjitha veçorit e gjedhes”.
20 Atëherë Davidi i tha birit të vet Salomonit edhe: “Vepro si burrë, ki guxim dhe nisja punës dhe mos u tremb as mos ki frikë! Vërtet, Zoti, Hyji im, do të jetë me ty dhe nuk do të të lëshojë as s’do të lërë deri sa ta kryesh mbarë punën lidhur me Shtëpinë e Zotit.
21 Ja, rendet e priftërinjve dhe të levitëve: do të jenë të gatshëm në çdo shërbesë të Shtëpisë së Tenzot. Pranë teje për të ndihmuar do të jetë me vullnet çdo njeri i ditur për cilëndo punë për këtë vepër. Të gjithë prijësit dhe mbarë populli janë nën urdhrin tënd”.