< 1Kro 21 1Kro 23 >
Lexim prej librit të parë të Kronikave(1Kro 22)
22

1 Këndej edhe Davidi tha: “Kjo është Shtëpia e Zotit Hyj e ky është lteri i flive të shkrumbimit të izraelitëve”.

2 Davidi dha urdhër të bashkohen të gjithë të huajt që jetonin në tokën e Izraelit dhe prej tyre i caktoi njerëzit për të latuar e gdhendur gurë për ndërtimin e Shtëpisë së Hyjit.

3 Davidi e bëri gati gjithashtu edhe hekurin për gozhda për krahët e dyerve, për përputhje për shula, si dhe bronz me peshë të pamasë.

4 Ndërsa lënda e cedrit që e kishin sjellë te Davidi sidonasit e tirianët as që mund të çmohej.

5 Davidi tha: “Salomoni, im bir, është ende fëmijë i vogël dhe i njomë e Shtëpia që do të ndërtohet në nder të Zotit duhet të jetë e tillë që në çdo vend të flitet për të e të lëvdohet. Dua, pra, të bëj gati gjithçka duhet për të”. Kështu Davidi, para se të vdiste, bëri gati pothuajse gjithçka.

6 Atëherë e thirri Salomonin, djalin e vet, dhe i urdhëroi t’ia ndërtojë Shtëpinë e Zotit, Hyjit të Izraelit.

7 Davidi i tha Salomonit: “Biri im, dëshira ime ishte t’ia ndërtoj Emrit të Zotit, Hyjit tim, Shtëpinë,

8 porse më erdhi fjala e Zotit që më tha: ’Ke derdhur shumë gjak e ke luftuar luftëra të mëdha. Ti s’do ta punosh Shtëpinë në nder të Emrit tim, pasi ke derdhur gjithë atë gjak para syve të mi.

9 Do të të lindë një djalë që do të jetë njeri shumë paqegëzues: sepse unë do të bëj që ai të jetë në paqe me të gjithë armiqtë e tij përreth dhe për këtë arsye do të quhet Salomon dhe unë do t’i jap Izraelit paqe e qetësi gjatë gjithë kohës së tij.

10 Ai do ta ndërtojë Shtëpinë në nder të Emrit tim. Ai do të jetë djali im e unë do të jem babai i tij. Fronin e tij mbi Izrael do ta bëj të amshueshëm’.

11 Tani, biri im, Zoti qoftë me ty dhe nxito e ndërtoje Shtëpinë në nder të Zotit, Hyjit tënd, ashtu siç ka thënë për ty.

12 Zoti të dhëntë veç mend e urtësi që të mund ta sundosh Izraelin e ta mbash Ligjin e Zotit, Hyjit tënd.

13 Sepse vetëm atëherë do të mund të përparosh nëse do t’i mbash urdhërimet e ligjet që Zoti ia urdhëroi Moisiut për Izraelin. Ji i fortë e vepro si burrë: mos u tremb as mos ki frikë!

14 Ja, unë, me kujdesin tim i kam bërë gati ca gjëra për Shtëpinë e Zotit: njëqind mijë talenta ar, një milion talenta argjend, kurse bronzi e hekuri as që mund të peshohen, sepse aq shumë janë!

15 Ke gjithashtu edhe shumë njerëz të vyer: gdhendës, muratorë, mjeshtra druri dhe të gjithfarë mjeshtrie për të kryer vepra.

16 Në lidhje me ar, me argjend, me bronz e me hekur as që dihet të numërohen. Kështu, pra, nisja punës e Zoti qoftë me ty”!

17 Gjithashtu Davidi u urdhëroi të gjithë krerëve të Izraelit që t’i ndihmojnë Salomonit, birit të tij.

18 U tha: “Ju po shikoni se Zoti, Hyji juaj, është me ju dhe se ju ka dhënë paqe gjithkund përreth dhe se i ka lëshuar në duar tuaja banorët e vendit e se vendi i ka qenë nënshtruar Zotit e popullit të tij.

19 Tani jepuni me gjithë zemrën tuaj e me gjithë shpirtin tuaj në kërkimin e Zotit, Hyjit tuaj. Ngrihuni të gjithë së bashku e ndërtojeni Shenjtëroren e Zotit Hyj që të futet Arka e Besëlidhjes së Zotit dhe enët e kushtuara Hyjit në Shtëpinë që ndërtohet në nder të Emrit të Zotit”.



Fjala e Zotit