1 Pastaj vdiq Naasi, mbreti i amonëve, dhe në vend të tij u bë mbret biri i tij.
2 Davidi tha në vete: “Dua t’i tregoj dashuri Hanonit, birit të Naasit, sepse edhe i ati i tij u dëftua i mirë me mua”. Dhe Davidi dërgoi disa lajmëtarë për t’i shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së t’et. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën në tokën e amonëve për t’ia shprehur ngushëllimet Hanonit,
3 krerët e amonëve i thanë Hanonit: “Ty ndoshta të thotë mendja se Davidi i ka dërguar këta ngushëllues pse dëshiron ta nderojë tët atë. Ti nuk kujtohesh se shërbëtorët e tij kanë ardhur për të bërë hetime, për të spiunuar e për ta përmbysur vendin tënd”.
4 Prandaj Hanoni i kapi shërbëtorët e Davidit, i rruajti, ua preu petkat prej mollaqeve deri në fund të këmbëve dhe i nisi.
5 Këta shkuan dhe i çuan fjalë Davidit. Kishin qenë vërtet tepër rëndë të poshtëruar, prandaj Davidi ua dërgoi atyre një njeri me këtë porosi: të qëndronin në Jeriko derisa t’u rritej mjekrra e pastaj të ktheheshin.
6 Kur amonët e panë se i kishin rënë në faj Davidit, si Hanoni ashtu edhe populli tjetër, dërguan një mijë talenta argjendi për të marrë me pagesë karroca lufte e kalorës nga Mesopotamia, nga Siria Maaka dhe nga Soba.
7 I paguan të luftojnë për ta tridhjetë e dy mijë karroca lufte dhe mbretin e Maakës me ushtrinë e tij. Këta erdhën dhe e ngulën fushimin në krahinën e Medabës. Po ashtu edhe amonitët u mblodhën prej qyteteve dhe erdhën në luftë.
8 Kur Davidi e mori vesh, e dërgoi Joabin me mbarë ushtrinë e trimave të zgjedhur për luftë.
9 Amonitët dolën dhe u rreshtuan për luftë në hyrje të qytetit, kurse mbretërit e marrë me pagesë për ndihmë, qëndruan veçmas në fushë.
10 Duke parë se kishte për të luftuar njëkohësisht ballë për ballë dhe pas shpine, Joabi i zgjodhi më të guximshmit e mbarë Izraelit dhe u drejtua kundër sirëve,
11 kurse pjesën tjetër të ushtrisë ia besoi Abisajit, vëllait të vet, dhe u nisën kundër amonitëve.
12 I tha: “Nëse sirët do të jenë më të fortë se unë, ti më eja në ndihmë, po ashtu nëse bijtë e Amonit do të jenë më të fortë se ti, unë do të të vij në ndihmë.
13 Merr guxim e të veprojmë si trima të vërtetë për popullin tonë e për qytetet e Hyjit tonë: Zoti le të bëjë atë që është mirë ndër sytë e tij”!
14 U sul, pra, Joabi dhe ushtria që ishte me të kundër Sirit në luftë e sirët ikën para tyre.
15 Po ashtu edhe bijtë e Amonit, kur panë se ikën sirët, ikën edhe ata para Abisajit, vëllait të tij, dhe hynë në qytet. Atëherë Joabi u kthye në Jerusalem.
16 Kur sirët panë se u kthyen prej izraelitëve, dërguan lajmëtarë e sollën në ndihmë sirët që ishin përtej Lumit. Prijësi i tyre ishte Sofaku, prijësi i ushtrisë së Adadezerit.
17 Kur e lajmëruan Davidin, ky e bashkoi mbarë Izraelin, e kaloi Jordanin, erdhi tek ata dhe u rreshtua në luftë kundër tyre. Plasi lufta!
18 Ikën sirët para izraelitëve e Davidi i rrahoi shtatë mijë karroca lufte e dyzet mijë këmbësorë prej sirëve edhe Sofakun, prijësin e ushtrisë.
19 Kur shërbëtorët e Adadezerit panë se u mposhtën prej Izraelit, bënë paqe me Davidin dhe u bënë skllevër të tij. Sirëve s’u shkoi më në mend t’u vijnë në ndihmë bijve të Amonit.