< 1Kro 14 1Kro 16 >
Lexim prej librit të parë të Kronikave(1Kro 15)
15

1 Atëherë Davidi ndërtoi për vete shtëpi në Qytetin e Davidit, e bëri gati vendin e Arkës së Hyjit dhe e ngrehi për të tendën.

2 Atëherë Davidi tha: “S’është e lejueshme për askënd që ta mbartin Arkën e Hyjit, përveç se për levitët, që i zgjodhi Zoti për ta bartur dhe për t’ia kryer atij shërbesën përgjithmonë”.

3 Atëherë Davidi e bashkoi në Jerusalem mbarë Izraelin për ta sjellë Arkën e Hyjit në vendin e saj që ia kishte bërë gati.

4 Ai i bashkoi gjithashtu bijtë e Aronit dhe levitët.

5 Prej bijve të Kaatit: ishte Urieli prijës dhe njëqind e njëzet vëllezërit e tij.

6 Prej bijve të Merariut: Asaja prijës dhe dyqind e njëzet vëllezërit e tij.

7 Prej bijve të Gersonit: Joeli prijës dhe njëqind e tridhjetë vëllezërit e tij.

8 Prej bijve të Elisafanit: Semeja prijës dhe dyqind vëllezërit e tij.

9 Prej bijve të Hebronit: Elieli prijës dhe tetëdhjetë vëllezërit e tij.

10 Prej bijve të Ozielit: Aminadabi prijës dhe njëqind e dymbëdhjetë vëllezërit e tij.

11 Davidi i thirri edhe priftërinjtë Sadokun dhe Abiatarin dhe levitët Urielin, Asajamin, Joelin, Semejën, Elielin e Aminadabin

12 dhe u tha: “Ju që jeni prijësit e familjeve të levitëve shenjtërohuni me vëllezërit tuaj dhe silleni Arkën e Zotit, Hyjit të Izraelit në vendin që e kam bërë gati.

13 Për shkak se ju nuk qetë pranë herën tjetër, Zoti, Hyji ynë, na shitoi; nuk i ishim drejtuar Atij ashtu siç e kërkojnë rregullat”.

14 Priftërinjtë dhe levitët u shenjtëruan për ta mbartur Arkën e Zotit, Hyjit të Izraelit.

15 Bijtë e Levit e morën Arkën e Hyjit, me shtatka në krah sipas urdhrit të Moisiut që e kishte marrë prej Zotit.

16 Atëherë Davidi u tha prijësve të levitëve të caktojnë prej vëllezërve të vet këngëtarë me vegla muzikore përcjellëse, d. m. th. me harpa, me cetra dhe me cimbale që të jehojë thekshëm zëri i gëzimit.

17 Atëherë levitët e caktuan Hemanin, birin e Joelit dhe, prej vëllezërve të tij, Asafin, birin e Barakisë. Prej bijve të Merariut, vëllait të tyre, Etanin, birin e Kasajës,

18 dhe me ta vëllezërit e tyre të rendit të dytë, Zakarinë, Baniun, Jazielin, Semiramotin, Jahielin, Aniun, Eliabin, Banajën, Maasinë, Matatinë, Elifaluen, Maceninë, Obededomin e Jehielin dertarë.

19 Kurse këngëtarët Hemanin, Asafin e Etanin i caktuan t’u bien tingëllueshëm cimbalëve të bronztë,

20 ndërsa Zakaria, Ozieli, Semiramoti, Jahieli, Aniu, Eliabi, Maasaja e Banaja u binin harpave sipas “Virgjërave”.

21 Kurse Matatia, Elifaliu, Macenia, Obededomi, Jehieli e Ozaziuji u binin cetrave në oktavë.

22 Kurse Konenia, prijësi i levitëve që bartnin Arkën, drejtonte bartjen, sepse ishte shumë i dijshëm.

23 Barakia dhe Elkana ishin dertarë tek Arka.

24 Ndërsa Sebania, Jozafati, Natanaeli, Amasaji, Zakaria, Banaja dhe Eliezeri, priftërinj, u binin borive para Arkës së Hyjit; kurse dertarë para Arkës ishin Obededomi dhe Jehiai.

25 Kështu Davidi, paria e Izraelit dhe mijëtarët shkuan me hare për ta bartur Arkën e Besëlidhjes së Hyjit prej shtëpisë së Obededomit.

26 Kur Hyji u ndihmoi levitëve që po e mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit, qenë flijuar shtatë mëzetër e shtatë desh.

27 Davidi ishte mbështjellë me mantel prej pëlhure të hollë, po kështu edhe levitët që e mbartnin Arkën, këngëtarët dhe Konenia që e drejtonte bartjen e Arkës ‑ kurse Davidi ishte i veshur edhe me shpinorin e lintë ‑

28 mbarë Izraeli e shpiente Arkën e Besëlidhjes së Zotit duke brohoritur plot gëzim me zëra brirësh, me bori, me cimbale ëmbëltingëlluese, me harpa e me cetra.

29 Kur Arka e Besëlidhjes së Zotit arriti në Qytetin e Davidit, Mikola, bija e Saulit, duke vërejtur prej dritares, e pa mbretin Davidin duke kërcyer e duke vallëzuar dhe e përbuzi në zemrën e vet.



Fjala e Zotit