< 1Kro 13 1Kro 15 >
Lexim prej librit të parë të Kronikave(1Kro 14)
14

1 Hirami, mbreti i Tirit, dërgoi te Davidi lajmëtarë, lëndë cedri, muratorë e marangozë për t’ia ndërtuar shtëpinë.

2 Atëherë Davidi e mori vesh se Zoti e kishte përforcuar si mbret mbi Izraelin dhe se e kishte lartësuar mbretërinë e tij prej dashurisë ndaj popullit të vet, Izraelit.

3 Davidi në Jerusalem mori edhe gra të tjera dhe i lindën edhe të tjerë bij e bija.

4 Ja emrat e atyre që lindën në Jerusalem:

Samuai, Sobabi, Natani, Salomoni,

5 Jebahari, Elisuai, Elifaleti,

6 Noga, Nafegu, Jafiai,

7 Elisama, Baaliada dhe Elifaleti.

8 Kur filistenjtë e morën vesh se Davidi kishte qenë shuguruar mbret mbi mbarë Izraelin, u çuan të gjithë kundër tij për ta zënë. Po edhe Davidi, kur e mori vesh, u doli përpara.

9 Filistenjtë kur erdhën u shpërndanë në luginën Rafaim.

10 Atëherë Davidi kërkoi këshillë prej Hyjit. Pyeti: “A të dal në luftë kundër filistenjve dhe a do të m’i lëshosh në dorë”? Zoti iu përgjigj: “Bjeru e unë do t’i lëshoj në dorë”.

11 Ata dolën në Baalfarasim. Aty Davidi i mundi dhe tha:”Hyji i përshkoi me dorën time armiqtë e mi siç përshkohen ujërat”. Prandaj ai vend u quajt Baalfarasim /d. m. th. Zoti i përshkimeve/.

12 Filistenjtë i lanë aty zotat e tyre, të cilët Davidi dha urdhër të digjen.

13 Edhe një herë tjetër filistenjtë u sulën dhe u shpërndanë në luginë.

14 Davidi përsëri e pyeti për këshillë Hyjin dhe Hyji i tha: “Mos i ndiq pas. Rrethoji e sulu kundër tyre ballë për ballë prej pas vidhave.

15 Kur të dëgjosh shushuritjen e atij që ecën majave të lëndëve të vidhave, atëherë sulu në luftë: sepse Hyji ka dalë para teje, që t’i shpartallosh taborret e filistenjve”.

16 Davidi bëri si i kishte urdhëruar Hyji dhe i shpartalloi taborret e filistenjve prej Gabaonit deri në Gazer.

17 Dhe u përhap emri i Davidit në të gjitha krahinat e Zoti ua futi frikën e tij mbarë popujve.



Fjala e Zotit