1 Po unë, a nuk jam i lirë? A nuk jam apostull?
Po a nuk e pashë unë Jezusin, Zotin tonë? Po a nuk jeni ju vepra ime në Zotin?
2 Në qoftë se për të tjerët nuk jam apostull, për ju jam patjetër, sepse vula që më bën apostull jeni ju në Zotin.
3 Përgjigja ime atyre që më padisin është kjo:
4 A thua nuk kemi të drejtë të hamë e të pijmë (në barrën tuaj)?
5 A thua nuk kemi të drejtë të marrim me vete një femër të krishterë, sikurse edhe apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit e Kefa?
6 A thua vetëm unë e Barnaba nuk e kemi të drejtën të mos punojmë?
7 Po kush shërbeu ndonjëherë në ushtri me shpenzime të veta? Kush e mbjell vreshtin e nuk ha fryt prej tij? Kush e ruan grigjën e nuk pi nga qumështi i grigjës?
8 A mos po flas unë kështu në mënyrë vetëm njerëzore? Pse, a nuk e thotë po të njëjtën gjë edhe Ligji?
9 Sepse në Ligjin e Moisiut shkruan: ‘Mos ia lidh gojën kaut që shin!’ A mos trazohet Hyji për qe?
10 Po a nuk flet për ne? Vërtet, për ne u shkrua, sepse kush lëvron, në shpresë duhet të lëvrojë dhe kush shin, duhet të shpresojë se do ta marrë pjesën.
11 Nëse, pra, mbollëm në ju të mirat shpirtërore, a thua është punë e madhe nëse u korrim të mira materiale?
12 Nëse të tjerët e ushtrojnë këtë të drejtë mbi ju, pse nuk do ta ushtronim edhe ne, madje më tepër?
Por, ne nuk e përdorëm këtë të drejtë. Përkundrazi, ne i durojmë të gjitha për të mos i vënë ndonjë pengim Ungjillit të Krishtit.
13 Po, a nuk e dini se ata që kryejnë shërbesën në Tempull, ushqehen prej të ardhurave të Tempullit dhe ata që i shërbejnë lterit, kanë pjesën e vet në kushte të lterit?
14 Kështu Zoti ka caktuar që ata, të cilët shpallin Ungjillin, të jetojnë prej Ungjillit.
15 E unë nuk e përdora asnjërën prej këtyre; dhe tani nuk po ju shkruaj me qëllim që tani të silleni me mua kështu: më parë vdes se... Këtë lavdi nuk do të ma marrë askush!
16 Sepse, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenarie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin!
17 Nëse e bëj këtë me nismën time, atëherë më takon paga, por, nëse jo prej nismës sime ‑ është detyrë që më është besuar.
18 Cila atëherë është paga ime? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas, pa i përdoruar të drejtat që m’i jep Ungjilli.
19 Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllavin e të gjithëve që të fitoj për fe sa më shumë njerëz.
20 Prandaj, për judenj u bëra jude, që t’i fitoj judenjtë për fe; për ata nën Ligj, sikurse të isha nën Ligj ‑ edhe pse më nuk jam nën Ligj ‑ që t’i fitoja për fe ata që janë nën Ligj;
21 për ata që janë pa Ligj sikurse të isha pa ligj ‑ edhe pse nuk jam pa Ligjin e Hyjit, pse jam në Ligjin e Krishtit ‑ që t’i fitoja për fe ata që janë pa Ligj;
22 u bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin.
23 E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të.
24 Po a nuk e dini se ata që vrapojnë në fushë vrapimi, ndonëse të gjithë vrapojnë, vetëm njëri e fiton shpërblimin? Ashtu vraponi që të fitoni!
25 Të gjithë atletët i bëjnë vetes shtrëngime të mëdha; ata për të fituar kurorën e shkatërrueshme e ne kurorën që nuk shkatërrohet.
26 Unë, prandaj, ashtu vrapoj ‑ jo si pa qëllim, ashtu grushtoj ‑ jo si të gjuaja ajrin, 27 por e marr me të keq trupin tim dhe e mbaj nën sundim që, duke u pasë predikuar të tjerëve, të mos jem i përjashtuar vetë.