< 1Kor 1 1Kor 3 >
Lexim prej letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve(1Kor 2)
2

1 Edhe vetë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar,

2 sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit ‑ dhe Atë të kryqëzuar.

3 Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh.

4 Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë,

5 që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.

Zbulimi i Shpirtit Shenjt

6 Ne, në të vërtetë, shpallim dijen në mes të të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim,

7

por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë,

8 atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mundi ta njohë; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.

9 Por, siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi

dhe në zemër të njeriut nuk hyri,

atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’

10 Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe në vetë thellësinë e natyrës hyjnore.

11 E njëmend, kush prej njerëzve di çka është në njeri përveç shpirtit të njeriut që është në të? Kështu edhe çka është në Hyjin, askush nuk e di, përveç Shpirtit të Hyjit.

12 E ne nuk kemi marrë shpirtin e botës, por kemi marrë Shpirtin që vjen prej Hyjit që ta dimë me ç’dhurata na ka pajisur Hyji.

13 Këtë edhe e shpallim, jo me argumentime të mësuara nga dituria njerëzore, por me mësim të Shpirtit Shenjt, duke shtjelluar gjëra shpirtërore me terma shpirtërorë.

14 Njeriu thjesht natyror nuk i merr vesh gjërat që rrjedhin prej Shpirtit të Hyjit: ato për të janë marri dhe nuk është i aftë t’i kuptojë, sepse duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore.

15

Përkundrazi, njeriu shpirtëror i shqyrton të gjitha, por ai nuk mund të shqyrtohet prej askujt,

16 sepse:

‘Kush e njohu mendimin e Zotit

për ta mësuar Atë?’,

por ne e kemi mendimin e Krishtit.



Fjala e Zotit