1 Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit.
Si duhet të rrijë burri e gruaja në praninë e Hyjit
2 Ju lavdëroj që më kujtoni në gjithçka dhe që i ruani traditat ashtu si jua kam pasë mësuar.
3
Por dua që ta dini:
kryetari i çdo njeriu është Krishti, kryetari i gruas është burri e kryetari i Krishtit është Hyji.
4 Çdo burrë që lutet apo profetizon me kokë të mbuluar, turpëron kryetarin e vet.
5 Çdo grua që lutet apo profetizon me kokë të zbuluar, turpëron kryetarin e vet: sepse është njësoj sikurse t’i kishte qethur flokët.
6 E po ndodhi që ndonjë grua nuk do ta mbulojë kokën, le të qethet; por, në qoftë se është turp për gruan ta qethë e ta rruajë kokën, atëherë le të mbulohet.
7 Përkundrazi, burri nuk ka nevojë ta mbulojë kokën sepse është shëmbëlltyra e lavdisë së Hyjit; ndërsa gruaja është nderi i burrit.
8 Sepse nuk është burri prej gruas, por gruaja prej burrit.
9 Dhe burri nuk u krijua për arsye të gruas, por gruaja për arsye të burrit.
10 Prandaj, gruaja duhet ta mbajë mbi kokë shenjën e “vartësisë”, për shkak të engjëjve.
11 Megjithëse, në Zotin, as s’është burri i pavarur nga gruaja e as gruaja nga burri.
12 Sepse, sikurse gruaja që është prej burrit, ashtu edhe burri lind prej gruas: e gjithçka vjen prej Hyjit.
13 Gjykoni ju vetë: a ka hije që gruaja të lutet para Hyjit me kokë të zbuluar?
14 Po a nuk ju mëson edhe vetë natyra, se nuk i ka hije mashkullit t’i lërë flokët e gjatë,
15 kurse për femrën flokët e gjatë janë nder, sepse [asaj] i qenë dhënë si mbulesë.
16 Por, në qoftë se ndokush mendon se ka të drejtë të kundërshtojë, le ta dijë se ky zakon nuk është ndër ne as në kishat e Hyjit.
Shpërdorimi i Darkës së Zotit
17 E, pasi jam duke i dhënë këto vërejtje, nuk mund t’ju lavdëroj: bashkimet tuaja nuk po ju sjellin dobi shpirtërore, por më tepër dëm.
18 Më së pari po dëgjoj ‑ e pjesërisht e besoj ‑ se kur bashkoheni në Mbledhje paska mes jush mosmarrëveshje.
19 Njëmend, duhet të jenë ndër ju dasi, në mënyrë që të dalin në shesh [edhe] ata që ndër ju janë të krishterë të vërtetë.
20 Kur ju, pra, mblidheni së bashku kështu, kjo gjë nuk do të thotë se hani Darkën e Zotit,
21
pasi, secili, kur merr pjesë në Darkë, kërkon të hajë një herë ushqimin që ka sjellë me vete, kështu që, dikush mbetet i uritur e tjetri dehet.
22 Po a thua nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? A mos doni të përbuzni Kishën e Hyjit e t’i turpëroni ata që nuk kanë? Çka t’ju them? T’ju lavdëroj? Në këtë gjë s’ju lavdëroj.
23 Vërtet atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën,
24 falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im ‑ për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!”
25 Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!”
26 Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë.
Pjesëmarrja e padenjë në Darkën e Zotit
27 Prandaj, kushdo ha bukën ose pi kelkun e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i Trupit e i Gjakut të Zotit.
28 Për këtë arsye secili më së pari ta shqyrtojë mirë veten e veç atëherë të hajë prej kësaj Buke e të pijë prej këtij Kelku.
29 Sepse, kushdo ha e pi ‑ në qoftë se nuk e dallon Trupin e Zotit prej ushqimeve të tjera ‑ ha e pi dënimin e vet.
30 Ja, pra, arsyeja pse shumë prej jush janë të dobët, shumë të sëmurë, madje shumë edhe vdesin.
31 E pra, po ta shqyrtonim mirë veten, nuk do të dënoheshim.
32
E kur na gjykon Hyji, na edukon, që të mos dënohemi bashkë me botën.
33 Prandaj, vëllezërit e mi, kur të bashkoheni në Darkë, priteni njëri‑tjetrin.
34 E, nëse ndokush është i uritur, le të hajë në shtëpi, në mënyrë që të mos bashkoheni për dënim.
Të tjerat do t’i rregulloj kur të vij.