1 Vëllezër, dua që patjetër ta dini: etërit tanë të gjithë qenë nën re, të gjithë kaluan nëpër det
2
dhe të gjithë qenë pagëzuar në Moisiun me re e me det
3 dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror,
4 dhe të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti.
5 Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, pasi qenë vrarë në shkretëtirë.
6 Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos e lakmojmë të keqen, siç e lakmuan ata.
7 As mos u bëni idhujtarë, sikurse disa prej tyre, si është në Shkrim e Shenjtë:
‘U ul populli të hajë e të pijë,
pastaj u ngritën të lozin.’
8 As mos të jepemi pas fëlligështisë, siç u dhanë disa prej tyre, e mbaruan në një ditë njëzet e tri mijë vetë.
9 As mos ta vëmë në provë Zotin, sikurse disa prej tyre e sprovuan dhe sharruan prej gjarpërinjsh.
10 As mos murmurisni siç murmurisin disa prej tyre dhe engjëlli Shfarues i vrau.
11 Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i kohës.
12 Kush, pra, mendon se qëndron, të ruhet që të mos rrëzohet!
13
Vështirësitë në të cilat qetë vënë, nuk ishin jashtë masës njerëzore. Hyji është besnik. Ai nuk do të lejojë t’u nënshtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja e, bashkë me provat, do t’ju japë rrugëdalje e forcë për t’u qëndruar.
14 Prandaj, o të dashurit e mi, ikni nga idhujtaria!
15 Flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykoni vetë çka po them:
16 Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit?
17 Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke.
18
Shikoni Izraelin thjesht si popull: ata që hanë nga flitë a thua nuk janë pjesëmarrës të lterit?
19
Çka, pra, dua të them: se flia kushtuar idhullit është diçka? Ose idhulli është diçka?
20 Mu të kundërtën! Porse [paganët] u flijojnë djajve e jo Hyjit; e unë nuk dua të bëheni pjesëtarë të djajve.
21 Nuk dua ta pini gotën e Zotit dhe gotën e djajve. Nuk mund të jeni pjesëtarë të tryezës së Hyjit dhe të tryezës së djajve.
22 A mos mendojmë ta nxisim xhelozinë e Zotit? A mos jemi më të zotët se Ai?
Gjithçka për nderin e Hyjit
23 “Gjithçka është e lejueshme!”
“Por gjithçka nuk ka hije!”
“Gjithçka është e lejueshme!”
“Por gjithçka nuk ndërton!”
24 Askush të mos e kërkojë interesin e vet, por interesin e tjetrit.
25 Gjithçka shitet në treg, hajeni lirisht pa bërë pyetje për sa i përket ndërgjegjes,
26 ‘Sepse e Zotit është toka dhe gjithçka është në të.’
27 Po ndodhi e ju thirri ndonjë i pafe dhe ju pranoni të shkoni, hani çka t’ju vihet para duke mos pyetur gjë sa për arsye të ndërgjegjes.
28 Nëse ndokush ju thotë: “Është mish i flijuar idhujve!” ‑ mos e hani për arsye të atij që ju përkujtoi dhe të ndërgjegjes
29 ‑ të ndërgjegjes, e kam fjalën, të atij që të përkujtoi e jo të ndërgjegjes sate. E njëmend, pse ta gjykojë lirinë time ndërgjegjja e huaj?
30 Në qoftë se unë marr pjesë me falënderim, përse të prozhmohem për atë gjë, për të cilën falënderoj?
31 Pra, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit.
32 Mos jini, veç, rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit,
33 sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve pa kërkuar dobinë time, por dobinë e të gjithëve, që të mund të shëlbohen.