< 1Gjn 4 2Gjn 1 >
Lexim prej letrës së parë të Shën Gjonit apostull(1Gjn 5)
5

1 Kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kushdo e do prindin, do edhe të lindurin prej tij.

2 Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tij.

3 Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tij nuk janë të rënda.

4 Sepse, gjithçka lind prej Hyjit ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë!

5 Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit?

Dëshmia lidhur me Birin

6 Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta.

7 Kështu, tre janë ata që dëshmojnë:

8 Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme.

9 Nëse ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Hyjit është më e madhe. E dëshmia e Hyjit është kjo, me të cilën dëshmoi për Birin e vet:

10 kush beson në Birin e Hyjit e ka dëshminë në vetvete. Kush nuk i beson Hyjit, e ka bërë Atë gënjeshtar, sepse nuk i ka besuar dëshmisë, me të cilën Hyji i bëri dëshmi Birit të vet.

11 Dhe kjo është dëshmia: Hyji na e dha jetën e pasosur, e kjo jetë është në Birin e tij.

12 Kush e ka Birin, ka jetën, kush nuk e ka Birin e Hyjit, nuk e ka jetën.

Njohja e jetës së amshuar

13 Kaq ju shkrova juve që besoni në Emrin e Birit të Hyjit, që ta dini se e keni jetën e pasosur.

14 Dhe kjo është siguria që kemi te Ai: nëse kërkojmë gjë sipas vullnetit të tij, Ai na e plotëson lutjen.

15 Duke e ditur se na e plotëson lutjen për gjithçka kërkojmë, atëherë e dimë se i kemi ato që i kërkuam prej tij, tamam sikur t’i kishim në dorë.

16 Nëse ndokush e sheh vëllain e vet se bën mëkat që nuk çon në vdekje, le të lutet dhe Hyjit do t’ia japë jetën – atyre që bëjnë mëkatin që nuk çon në vdekje -. Ka mëkat që çon në vdekje: për të nuk po them të lutet.

17 Çdo padrejtësi është mëkat. Ka edhe mëkat që nuk çon në vdekje.

18 E dimë: kushdo është i lindur prej Hyjit nuk mëkaton: I Linduri prej Hyjit e ruan e Djalli nuk guxon ta prekë.

19 E dimë: ne jemi prej Hyjit kurse mbarë bota është nën pushtetin e Djallit.

20 Dimë edhe: Biri i Hyjit erdhi dhe na e dha dijen që ta njohim të Vërtetin. E ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij, Jezu Krishtin. Ky është Hyji i vërtetë edhe Jeta e pasosur.

21 Fëmijëzit e mi, ruajeni veten prej idhujve!



Fjala e Zotit