1 Çka ishte që në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës,
2 – po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve –
3 çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne. E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. 4 Po ju shkruajmë këto që gëzimi ynë të jetë i plotë.
5 Dhe kjo është shpallja që e dëgjuam prej tij dhe po jua kumtojmë juve: Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire!
6 Nëse themi: »Kemi bashkësi me Të«, por jetojmë në errësirë, ne rrejmë dhe nuk e ushtrojmë të vërtetën.
7 Por, nëse ne ecim në dritë, sikurse Ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.
8 Por nëse themi: »Ne nuk kemi mëkat«, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.
9 Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi.
10 Por, nëse themi: »Ne nuk kemi mëkatuar«, e bëjmë Atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.